Home Aktualitet Grabitja e BSH-se, pranga 5 punonjesve, shperdoruan detyren

Grabitja e BSH-se, pranga 5 punonjesve, shperdoruan detyren

466
0

banka-e-shqiperisShkon në tetë numri i personave të arrestuar për grabitjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Pas arrestimit të Ardian Bitrajt dhe Mimozia Bruzias në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë vënë në pranga edhe gjashtë persona të tjerë të implikuar në çështjen e vjedhjes së lekëve në bankë, ndërkohë që një tjetër person është shpallur në kërkim. Rreth orës 22:30, në prangat e policisë është vënë Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i Arkës në Veprim, në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë; Liljana Tusha, me detyrë specialiste e Arkës në Veprim, pranë Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë; Lavdim Cani, me detyrë specialist i Arkës Stok (tranzit) pranë Departamentit të Emisionit në BSH; Myzejen Belba, me detyrë specialiste e Arkës Stok (tranzit) pranë Departamentit të Emisionit në BSH; dhe Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator, pranë departamentit të Sigurimit dhe Mbrojtjes në Bankën e Shqipërisë. Arrestimet e tyre janë bërë me urdhra gjykate, të nxjerrë pasditen e djeshme. Ndërkohë, në sajë të një urdhri të nxjerrë nga gjykata mbrëmjen e së mërkurës, është vënë në pranga edhe personi i tetë i implikuar në supervjedhje, Klevis Bejtaj, i njohur si nipi i Ardian Bitrajt. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se Bejtaj është arrestuar për “moskallëzim krimi”, pasi dyshohet se ka qenë në dijeni të vjedhjes që ka bërë i afërmi i tij në Bankën e Shqipërisë. Të njëjtat burime sqarojnë se është prerë edhe një urdhër arresti për një tjetër person të implikuar në grabitjen e 713 milionë lekëve, por që ende nuk është arrestuar. Sipas Prokurorisë së Tiranës, të arrestuarit akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre kanë krijuar mundësi për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në një ambient të Bankës së Shqipërisë.

Roli
Organi i akuzës pas vjedhjes në BSH, ka krijuar bindjen se vjedhja, për të cilën janë arrestuar Bitraj dhe Bruzia, është kryer lehtësisht edhe për faktin se punonjës të tjerë që kanë pasur detyrë për të rakorduar kartëmonedhat që hynin dhe dilnin nga sportelet përkatëse, nuk kanë kryer detyrën e tyre. Shkelja e kryer prej këtyre punonjësve u konstatua edhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë që gjenden në ambientin ku ka ndodhur vjedhja. Duke u nisur nga përgjegjësitë e punonjësve të bankës, është dalë në konkluzionin se detyra e punonjësve të Arkës në Veprim, siç është rasti i të arrestuarit Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i Arkës në Veprim, por edhe i specialistes në këtë arkë, siç ishte Liljana Tusha, është të rakordojnë çdo ditë gjendjen e sportelit të tyre dhe të koordinohen me kontrollorin mbikëqyrës, gjë që pas hetimeve rezulton se ky rakordim nuk është kryer si duhet dhe nuk është kryer për një kohë të gjatë, dhe kjo ka sjellë vjedhjen e shumës së madhe të parave nga Departamenti i Emisionit në BSH. Gjithashtu, sipas burimeve nga prokuroria, detyra e punonjësve të Arkës Stok është që të ndjekin lëvizjen e vlerave monetare nga sportelet tek magazinat, si edhe të kryejnë rakordime periodike. Por, është vërejtur edhe se për të hyrë në magazinën e stokut, përdoren tre çelësa, të cilët mbahen nga një çelës për tre punonjës, përgjegjësi, i cili ishte Ardian Bitraj dhe dy specialistët, që në rastin konkret ishin Lavdim Cani dhe Myzejem Belba. Por, organi i akuzës ka vërejtur se këta tre çelësa janë mbajtur të gjithë nga Bitraj, i cili më pas ka kryer veprimtarinë kriminale të vjedhjes. Po ashtu, specialistët e Arkës Stok kanë pasur për detyrë që, në përfundim të ditës së punës, këta çelësa t’i vendosnin në një kasafortë. Por ky detyrim nuk është përmbushur dhe në kohë të ndryshme, këta çelësa janë mbajtur nga përgjegjësi i Arkës Stok, Ardian Bitraj. Nga ana tjetër, edhe i arrestuari tjetër, Dhimitër Davidi, me detyrë përgjegjës për sigurinë në BSH, ka pasur si detyrë që të mbikëqyrë kamerat e sigurisë dhe të raportojë për çdo anomali, gjë që nuk është bërë. Pasi Prokuroria e Tiranës ka këqyrur kamerat e sigurisë, ka rezultuar se vëzhguesi-operator i ka parë veprimet e Bitrajt, i cili mbushte thasë plastikë me kartëmonedha në magazinën e Stokut, dhe nuk e ka raportuar. Sipas organit të akuzës, i pandehuri kryesor në këtë çështje, pasi i merrte paratë me thasët plastikë, shkonte në tualetet e ndërtesës dhe paratë i fshihte në trup, poshtë rrobave.

Raporti
Burime jozyrtare nga organi i akuzës bëjnë me dije se mëngjesin e së enjtes, është tërhequr raporti i Auditit të Brendshëm të Bankës së Shqipërisë. Në raportin përfundimtar të bankës përcaktohet se shuma e vjedhur është 713 milionë lekë. Veç kësaj, në këtë raport përcaktohen qartë edhe lëvizjet që janë bërë në bankë, përfshirë këtu edhe qarkullimin e parave, se sa para kanë hyrë dhe kanë dalë nga banka për katër vjet. Ndërkohë, mësohet nga burime të njëjta se, pas analizimit me kujdes të këtij raporti, do të merren në pyetje afro 10 punonjës të Auditit, të cilët do të japin llogari se përse këta katër vjet nuk ka dalë në asnjë raport se në bankë mungonin lekët, pse nuk ka funksionuar sistemi i sigurisë ashtu siç duhej, si dhe për shumë paqartësi të tjera. Ndërkohë hetimet vijojnë dhe ditët në vijim mund të ketë zhvillime dhe arrestime të tjera për këtë çështje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here