HYRJE Sport Gjermania shkatërron Anglinë, 4 – 1

Gjermania shkatërron Anglinë, 4 – 1

0
116

Gjermania shkatërron me rezultatin 4-1 Anglinë dhe siguron një vend në çerekfinalet e Botërorit afrikan, ndërkohë që skuadra e Kapelos, një ndër pretendentet kryesore në startin e këtij kompeticioni, rikthehet në shtëpi e turpëruar.

Gjermanët zhvilluan një ndeshje gati perfekte duke mposhtur në të gjitha drejtimet skuadrën angleze. Rezultati zhbllokohet në minutën e 20 të takimit, minutë kur sulmuesi Miroslav Klose tund rrjetën e ishullorëve dhe çon në delir tifozerinë gjermane. Vetëm 12 minuta më vonë skuadra e Hoakim Lëv mposht sërish “3 luanët” dhe dyfishojnë rezultatin me Lukas Podolskin, i cili shfrytëzon mjaft mirë një top të marrë prej Mylerit.

Reagimi i anglezëve mbërrin në minutën e 37 të takimit me Upson, që shkurton diferencën dhe rihap ndeshjen. Pak minuta nga përfundimi vlen për t’u përmendur një gjuajtje e Lampard, topi pasi përplaset në traversë kalon vijën fatale të portës gjermane, por për gjyqtarin nuk ishte gol. Pjesa e parë mbyllet 2-1 për gjermanët.

Pjesa e dytë nis me Anglinë në kërkim të golit të barazimit dhe me Gjermaninë në mbrojtje dhe që përpiqej të shfrytëzonte hapësirat e lëna pas nga ishullorët. E pikërisht në një rast të tillë në minutën e 67-të të takimit, Shvajnshtajger pason bukur për Tomas Myler, i cili brenda zonës dhe përballë me portierin Xhejms nuk gabon, Gjermania 3, Anglia 1. Vetëm 3 minuta më vonë mbrojtja e skuadrës së Kapelos kapet sërish në befasi kur fantazisti Ozil, pas një vrapimi në të majtë të sulmit gjerman fut një top tokas për Mylerin, që në një distancë të afërt me portën e ka më të vështirë të gabojë se sa të gjejë rrugën e rrjetës. Gjermania shënon sërish, Anglia shokohet.

Në minutat në vazhdim, Anglia përpiqet të reagojë, por paqartësitë në lojën e tyre, gafat e shumta  dhe mbrojtja gjermane nuk sollën ndryshim rezultati. Gjermania fiton me meritë 4-1 dhe kualifikohet për më tej, duke pritur emrin e kundërshtarit të 3 korrikut, që do të zbardhet nga ndeshja e mbrëmjes mes Argjentinës dhe Meksikës.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here