Home Sport Gati sfida me Dinamon e Zagrebit, policia ndalon 70 huligane ne kufi

Gati sfida me Dinamon e Zagrebit, policia ndalon 70 huligane ne kufi

573
0

elbasan-arenaPërballë 12 mijë tifozëve dhe një atmosfere inkandeshente sonte në ‘Elbasan Arena” do të zhvillohet derbi i Ballkanit mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit i vlefshëm për fazën e “Play-Off”-it të Champions League.

Ndalohen huliganët kroatë
Ndodh ajo që pritej, policia shqiptare në pikën e kalimit të Hanit të Hotit ka ndaluar 70 tifozë të ekipit të Dinamos së Zagrebit që po udhëtonin nga Kroacia për të ndjekur ndeshjen në Elbasan sonte në 20:45.

Tifozët dyshohet se i përkasin grupimit “Bad Blue Boys”, të cilët janë të shquar në të gjithë Europën për trazirat që kanë shkaktuar në cdo stadium, përfshirë edhe të tyrin në Zagreb.

Mësohet se tifozëve kroatë u janë gjetur fishekëzjarrë dhe sende të tjera që do t’i përdornin sonte në ndeshjen e parë në Champions League.

Pas kontrolleve në mjetet me të cilat udhëtonin, disa prej tyre u ndaluan nga policia, ndërsa të tjerë u kthyen mbrapsht.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kufirin e Kroacisë me Bosnje Hercegovinën, ku sipas mediave kroate janë ndaluar 80 tifozë të “Bad Blue Boys” që po udhëtonin drejt Shqipërisë.

Masat do të jenë të rrepta deri në hyre të stadiumit, por edhe brenda nëse do të arrijë që të depërtojë ndonjë nga tifozët e Dinamos.

Theksojmë që tifozëve që u ndaluan u janë gjetur bileta, por nuk ishin të autorizuar për ndeshjen nga klubi.

Masat e policisë
Frika e vetme e të gjithëve është sjellja e tifozëve nga Kroacia të Dinamos, por policia e shtetit, FNSH, mbi 500 stjuartë privatë, por edhe civilët nga Shqipëria dhe Kroacia do të bëjnë gjithçka për të shmangur trazirat e mundshme.

Sipas policisë së këtij qarku janë rreth 450 policë të cilët do të angazhohen për mbarvajtjen sa më të mirë të takimit.

Policia bën me dije se do të Bllokohet shëtitorja nga stadiumi deri tek rruga “1 Maji” si dhe rruga nga Bashkia deri në dalje të Unazës së qytetit. Po sipas të njëjtave burime, nuk do të lejohen parkimet e makinave para Pallatit të Sportit, nga rrethrrotullimi i luleve deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës, si dhe para stadiumit

“Nuk do të lejohen parkimet e makinave para Pallatit të Sportit, nga rrethrrotullimi i luleve deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës, si dhe para stadiumit”- thuhet në komunikimin e Policisë së Elbasanit.

Ndërsa të gjithë tifozët, te cilët duan të shohin ndeshjen nga shkallët e stadiumit, përveç biletës duhet të kenë edhe një mjet identifikues për te shmangur çdo incident si dhe pritet të hyjnë në stadium dy orë para ndeshjes. Policia u bën thirrje të gjithë tifozëve që të mos marin me vete asnjë send të fortë apo fishekzjarr sepse nuk do të lejohen të futen për të parë ndeshjen edhe pse mund të jenë të paisur me biletë dhe mjet identifikimi

Trajneri Josa
Në prag të ndeshjes me Dinamon e Zagrebit, trajneri i Skënderbeut Josa largon euforinë duke deklaruar se ekipi nuk mund të krahasohet me heroin kombëtar, ndërsa shprehet se do t’i godasim kroatët duke besuar te kualifikimi në Champions League.

“Dinamo e Zagrebit është një ekip i fortë, por jo i pathyeshëm, ne duam kualifikimin. Nuk mund të kthejmë kokën pas për të parë se cfarë kemi bërë, tani kemi përgjegjësi më të mëdha për të ecur përpara. Dëshira jonë për t’u kualifikuar është e madhe, por duhet të jemi perfektë ndaj Dinamos.

Duhet të bëjmë gjithcka për të mos e lejuar Dinamon të na vendosë përpara me qarkullimin e topit. Dinamo e Zagrebit është një skuadër cinike dhe me shumë cilësi, duhet të kemi shumë kujdes në mbrojtje dhe në sulm. Nuk ka vend për eufori. Ecuria jonë e deritanishme nuk është e rastësishme apo me fat, cdo që e kemi arritur me forcat tona falë organizimit të klubit” deklaron ai.

Presidenti kroat
Presidenti i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç deklaroi se do të futet sot në fushë sikur përballë të kishte Realin e Madridit duke vlerësuar maksimalisht kampionët e Shqipërisë për ecurinë që kanë bërë. “Skënderbeu është një rival shumë serioz, pasi jo më kot ka fituar pesë tituj radhazi.

E dimë se ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, aq më tepër ka eliminuar dy kundërshtarë për të ardhur deri këtu, ne do të futemi në fushë si të ishte Reali i Madridit. Kemi parë edhe rezultatet e kombëtares shqiptare, që tregojnë se ku ka arritur futbolli juaj”tha ai.

Trajneri kroat
Ndërsa tekniku i Dinamos së Zagrebit, Zoran Mamic pavarësisht respektit për Skënderbeun dhe dyshen Salihi-Berisha del hapur duke kërkuar fitoren që në Elbasan duke pretenduar ta sigurojë kualifikimin që në Shqipëri. “Ne nuk e nënvlerësojmë aspak kundërshtarin dhe do japim maksimumin tonë.

Ne do të luajmë për të fituar dhe për të siguruar kualifikimin. Natyrisht që kemi respekt për kundërshtarin pasi ka lojtare mjaft të mirë që mund të bëjnë diferencën. Unë njoh disa prej tyre që kanë spikatur si Berisha, Shehi, Shkëmbi etj”deklaroi ai.

Shqiptarët
Dinamo e Zagrebit nuk do ta ketë kapitenin Arijan Ademi, i cili nuk udhëtoi për shkak të dëmtimit. Ndërsa shqiptari tjetër nga Pogradeci, Endri Çekiçi shprehet se “Nuk e di a do të jem në fushë, e vlerësojmë shumë Skënderbeun, por besoj që në fund Dinamo do të kualifikohet në grupet e Champions”tha ai.

Formacioni
Trajneri Mirel Josa provoi gjithçka në mënyrë që të besuarit e tij të jenë sa më të gatshëm për ta përballuar me sukses sfidën me kampionët e Kroacisë. Sot në fushë Josa pritet që të zbresë me këtë formacion ndaj Dinamos së Zagrebit: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Eskardinja, Shkembi, Lilaj, Nimaga, Berisha, Latifi, Salihi.

Përpos Hamdi Salihit një emër i njohur në arenën ndërkombëtare që me shpërthimin e tij ka ngritur kuotat është Bernard Berisha duke tërhequr edhe vëmendjen e trajnerit shqiptar të Anderlehtit Besnik Hasi. Në përballjen e Skënderbeut dhe Dinamos do të jetë edhe një zbulues talentesh i Anderlecht.

Heroi
Me 5 gola të shënuar në 4 ndeshjet e zhvilluara në Champions League, padyshim që Hamdi Salihi është lojtari më vendimtar për ekipin e Skënderbeut këtë edicion në Europë dhe sytë sonte janë tek ai.

Kapiteni
Kapiteni i kampionëve Bledi Shkëmbi para ndeshjes deklaroi se “Në asnjë lloj mënyre nuk jemi në vetëkënaqësi. Kemi akoma shumë ego. Nuk do t’i ndërroja 5 tituj kampion me kualifikimin”deklaroi ai.

Tifozët
Klubi i Skënderbeut njofton se janë shitur të gjitha biletat që ishin vendosur në dispozicion për ndeshjen e sotme ndaj Dinamos, që do të thotë se në stadium do të jenë 12 mijë persona.

Premio
Një milionë Euro ka vendosur premio presidenti Ardian Takaj për ekipin nëse do të kalojë në fazën e grupeve të Champions League.

Skënderbeu në dorë të rusëve
Ndeshja  Skënderbeu – Dinamo e Zagrebit e vlefshëm për fazën play-off të Champions League do të gjykohet nga gjyqtarë rusë. Sergei Karasev do të jetë kryesori, ndërsa për këtë takim do të ketë edhe gjyqtarë porte. 36-vjeçari Karasev ka marrë stemën e FIFA-s në 2010 dhe prej 4 vitesh gjykon edhe në kupat e Europës.

Në grupin e të dërguarve të UEFA-s është edhe ish-gjyqtari italian, Alfredo Trentalange. Gjyqtar kryesor Sergei Karasev, asistentë Anton Averianov, Tikhon Kalugin, asistentë porte Sergei Lapochkin, Mikhail Vilkov nga Rusia.

Gjyqtar i katërt Igor Demeshko po nga Rusia, delegat i UEFA-s Nils Fisketjonn nga Norvegjia dhe vëzhgues i UEFA-s Alfredo Trentalange nga Itali. Dje ekipi ka pasur heshtje për shtyp, ndërsa biletat për ndeshjen e nesërme janë shitur të gjitha, në stadium do të jenë 12 mijë tifozë.

Skënderbeu, 14.7 milionë euro nëse mund Dinamon e Zagrebit

Shpërblimet në Champions League

Turi i parë: €200,000

Turi i dytë: €300,000

Turi i tretë: €400,000

Play-Off e eliminuar: €3,000,000

Play-offs fituese: €2,000,000

Pagesa bazike në grupe: €12,000,000

Europa League 2014-2015

Turi i parë: €120,000

Turi i dytë €130,000

Turi i tretë: €140,000

Play-Off e eliminuar: €150,000

Pagesa bazike në grupe: €1,300,000

Fitore në grup: €200,000

Barazim në grup: €100,000

I pari në grup: €400,000

I dyti në grup: €200,000

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here