Home Sport Gallatasaraj kerkon Valon Berhamin pas transferimit te Canes

Gallatasaraj kerkon Valon Berhamin pas transferimit te Canes

637
0

Klubi turk i futbollit Gallatasaraj, pas blerjes së Lorik Canës, dëshiron të afrojë në gjirin e vet një tjetër futbollist me gjak shqiptari.
Bëhet fjalë për Valon Behramin, kosovarin me pasaportë zvicerane, i cili luan në Premier League në radhët e skuadrës së Uest Hemit. Lajmi është bërë i njohur nga disa media turke, por edhe nga ato angleze. Drejtuesit e klubit turk, pasi kanë testuar situatën, kanë hedhur në tavolinë dhe një ofertë në blerjen e mesfushorit kosovar, e cila shkon deri në 8 milionë euro.
Por, për ta realizuar këtë objektiv të tyre, ata duhet të mundin konkurrencën e fortë, që po shfaqin gjermanët e Shalkes, të cilët kanë ofruar të njëjtën shifër.
Gjithsesi, në ditët në vazhdim pritet të ketë edhe tratativa të tjera, pasi Gallatasaraj duket shumë i bindur në kërkim të Behramit, pasi e shikon atë si një përforcim të nevojshëm për të ndërtuar një skuadër fituese jo vetëm në kampionatin turk, por edhe në Kupat e Europës.
Valon Behrami është një futbollist i spikatur në futbollin ndërkombëtar. I lindur në Mitrovicë më 19 prill 1985, ai e ka nisur karrierën si futbollist profesionist te Lugano në Zvicër në sezonin 2002-2003. Në sezonin pasardhës u transferua te Xhenoa në Serinë B, ku luajti për dy edicione. Në 2005-n firmosi me Lacion, por kaloi në formë huazimi te Verona, ku spikati në krah të shqiptarit tjetër, Erjon Bogdani. Në 2006-n skuadra e kryeqytetit italian e mori në gjirin e saj, kur shkëlqeu deri në 2008-n, vit në të cilin u transferua në Premier League tek Uest Hemi.
Behrami kërkohet edhe nga Roma dhe Juventus në Serinë A. Të dyja skuadrat italiane kishin shprehur dëshirën për ta pasur në grupin e tyre, por për momentin nuk po avancojnë drejt tratativave konkrete.
Nëse do të pranojë ofertën e Gallatasarajit, ai do të bëhet kosovari i dytë në ekipin elitar turk, bashkë me Lorik Canën, i cili u transferua në një mënyrë të bujshme vetëm pak javë me pare te Gallatasaraj. Canaj aktualisht po synon integrimin në radhët e skuadrës së tij të re dhe sipas komenteve të shtypit turk, falë paraqitjeve të mira në ndeshjet miqësore gjatë kësaj periudhe, ai tashmë e ka fituar një vend në 11-shen titullare. Dje është mësuar se Canës nuk i është dhënë numri i shumë dëshiruar, 19, pasi ai tashmë i ka shkuar Kjuellit. Por, mbi shpinë në sezonin e ardhshëm turk, mesfushori i kombëtares shqiptare do të mbajë numrin 7.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here