Home Eduard Zaloshnja Fluturon, fluturon…droga!

Fluturon, fluturon…droga!

759
0

avioni-droge2Në kohën kur politikanët tanë ishin fëmijë, ishte e përhapur loja “Fluturon, fluturon… gomari!” Javët e fundit ata i janë rikthyer kësaj loje fëminore, por gomarin e kanë zëvendësuar me…drogën. Ndersa për shqiptarët e thjeshtë dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk ka rëndësi nëse droga fluturon apo jo. Sepse ata e dinë që, edhe nëse s’fluturon me avion, ajo lundron me gomon, apo udhëton me furgon. Pra, rënëdësi ka që droga prodhohet këtu me tonë dhe eksportohet po me tonë, duke errësuar kështu perspektivën europiane të vendit.

Opozita, e zgjuar nga një gjumë i gjatë 8-vjeçar, po zbulon sot se në Lazarat et al. është prodhuar dje, kur ajo ishte një lumë i madhë droge, të cilit nuk i mjaftojnë gomonët dhe furgonët për të mbërritur në Itali e Greqi. Dhe ka disa javë që në parlament dhe në foltoret e tjera flet papushim për fluturimet e drogës. Ndërsa mazhoranca, nga ana tjetër, ka po aq javë që mundohet të na mbushë mendjen se droga nuk fluturon…

Në vënd të lojës fëminore “Fluturon droga, s’fluturon droga”, mazhoranca dhe opozita duhet të bëjnë një debat serioz të rriturish mbi ndalimin e prodhimit të kanabis sativës (marihuanës) në Lazarat e në fshatra të tjerë shqiptarë. Sepse marihuana e korrur vjet në shtator, në mos me avionë, do ta gjejë rrugën e eksportit, qoftë nga toka apo nga deti, qoftë me gomonë apo furgonë, qoftë me mushka apo kamionë. Sipas një vlerësimi të RAI Uno, vlera e marihuanës së korrur vjet në Shqipëri kap vlerën e tregut 4.5 miliard euro dhe, duke patur këtë vlerë, ajo ka për ta gjetur rrugën e tregut me çdo kusht. Ndoshta edhe sikur kontrolli kufitar të kthehet në regjimin e para vitit 1990…

Problem është nëse do të vazhdohet të mbillet po kaq shumë marihuanë edhe në të ardhmen. Sepse sa më gjatë të vazhdojë kjo punë, aq më shumë marihuana do të shohë marihuanën e do të piqet… Dhe kështu Shqipëria do të kthehet në Kolumbinë e marihuanës së Europës. Në mos është kthyer që sot…

Meqë sezoni i prodhimit të marihuanës së re ka filluar, qeveria bën mirë të hartojë një strategji për goditjen e kësaj veprimtarie që në filiz dhe jo të dërgojë policinë për të luajtur futboll në Lazarat, kryeqytetin e marihuanës shqiptare.

Fjala vjen, marihuana ka nevojë për shumë diell dhe ujë në verë, dhe qielli i Shqipërisë e ofron diellin me shumicë në këtë stinë, por jo ujin. Uji transportohet me autobotë drejt Lazaratit, për shembull. A nuk është më e lehtë të ndërpritet ky transport se sa transporti i droges që do të dalë prej Lazaratit?

Për të punuar në plantacionet e marihuanës shkojnë me qindra puntorë ditorë, dhe do të ishte shumë më e lehtë të ndalohen ata se sa të kapen një grusht trafikantësh të vendosur për të transportuar produktin përfundimtar, i cili vlen miliarda euro.

Dhe së fundi, por jo me se pakti, a nuk mundet Policia e Shtetit të futet në çdo cep të territorit shqiptar ku kryhet hapur një aktivitet kriminal? Alibia e mbështetjes politike të opozitës për prodhuesit e marihuanës nuk qendron. Në qoftë se mazhoranca aktuale ka vullnetin politik për ta luftuar prodhimin e marihuanës në Shqipëri, ajo duhet ta bëjë këtë me vendosmërinë më të madhe, duke e vënë opozitën para gjykimit të opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar nëse është kundër prodhimit të drogës në Shqiperi apo pro tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here