HYRJE Ekonomi Energjia, tendenca drejt paneleve diellore

Energjia, tendenca drejt paneleve diellore

0
25

Pas hidrocentraleve, tendenca më e re e investimeve private në energjetikë duket se janë bërë panelet diellore.

Vetëm gjatë kësaj jave në Ministrinë e Energjisë kanë mbërritur dy kërkesa të reja nga kompani private për ndërtimin e parqeve fotovoltaike.

Projekti i parë parashikon instalimin e paneleve me kapacitet dy megavat në zonën e ish-kombinatit metalurgjik të Elbasanit. Parku do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 50 mijë metrash katrorë dhe investimi parashikohet të jetë 2.3 milionë euro.

Aplikimi i dytë është i një tjetër kompanie private, e cila kërkon të ndërtojë një park diellor me fuqi dy mega në zonën e Lushnjes. Këto janë vetëm dy aplikimet më të fundit.

Në total, përgjatë muajit korrik në Ministrinë e Energjisë janë paraqitur 4 projekte për ndërtimin e parqeve diellore, kryesisht të vogla, ndërkohë që në proces është edhe një park i madh me fuqi 50 mega në zonën e Maliqit.

Të gjitha këto projekte do të shqyrtohen nga Ministria e Energjisë dhe nëse rezulton se përmbushin kushtet ligjore, atëherë ministria i miraton duke i hapur rrugë ndërtimit.

Ekspertët në Ministrinë e Energjisë thonë se për shkak të klimës, në Shqipëri energjia diellore ka rendiment të lartë. Për këto investime, qeveria garanton blerjen e energjisë me një çmim që do të përcaktohet nga Enti Rregullator i Energjisë.

Por nga projektet e paraqitura ka dhe raste kur bizneset duan ta ndërtojnë panelin diellor për për nevojat e veta energjitike, pasi ulin kostot.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here