Home Aktualitet Elsa Lila per pak dite pret te behet nene me vajzen, Evita

Elsa Lila per pak dite pret te behet nene me vajzen, Evita

825
1

Elsa Lila është nga ato këngëtare për të cilat shqiptarët kanë një dashuri të veçantë. Sepse e kanë parë që të vogël të ngjitet në skenën e Festivalit të këngës së lehtë në RTSh, dhe me zërin e saj të prekë zemrat e të gjithëve. Kush erdhi në Itali, vazhdoi të shihte Elsën të ngjiste edhe skenën e Sanremos dhe të bënte për vete edhe publikun italian. Dashuria për të, shkon përtej asaj që një artdashës ka për të preferuarin e tij, ka diçka prindërore brenda. Dëgjon shpesh të thonë për Elsën “E mbaj mend kur ishte fëmijë, sot është bërë gjithë kjo vajzë”. Vajza është rritur e tashmë bëhet nënë. Kohët e fundit jeton sa këtu në Romë dhe sa në ishullin e largët afrikan, Madagaskar, ku ka lidhur zemrën me Alessandron, instruktorin e zhytjeve.Me Elsën takohemi në një bar në zemër të San Lorenzos në Romë ku ajo jeton prej kohësh. Vjen me hap të shpejtë. I bien çelësat nga duart, ulet dhe i merr pa asnjë problem. Kur e ke përpara i sheh barkun e madh dhe kujtohesh që është shtatzënë. “Shumë” shtatzënë. Dhe kur e pyet disi e çuditur në ç’muaj është, thotë shend e verë: “në të nëntin”. Nuk të lë përshtypjen e grave shtatzënë, të lumtura por edhe të rënduara, me ritme të ngadalësuara.Elsa duket krejt ndryshe. Është e lumtur e mezi pret lindjen e vajzës së saj, por është shumë e lehtë dhe në formë të shkëlqyer fizike. Me t’u ulur në një tavolinë flet gjithë qejf për jetën e saj të re, për dashurinë për Alessandron dhe Afrikën, për ëndrrat dhe mbi të gjitha për vajzën Evita.
Edhe pak javë dhe do të bëhesh nënë.
Elsa Lila: Kam hyrë në muajin e nëntë. Nga mesi i marsit lind Evita dhe unë mezi pres ta njoh. Po, po është vajzë dhe emrin do ta ketë Evita: Eva e vogël. Jam shumë shumë e lumtur. Kjo është një fazë e re e jetës sime dhe po e gëzoj jashtë mase. Dhe të them të vërtetën nuk kam pasur asnjë shqetësim, mendo që edhe sot kam lëvizur me motorizon, ti e di sa e vështirë është në Romë me makinë. Kështu që për të zgjidhur disa punë burokratike këtu përqark më është dashur t’i hipi motorinos. Dhe që në fillim të shtatzënisë kam qenë kështu, pa asnjë problem. Kam marrë disa herë avion për në Madagaskar ku jeton Alessandro, shoku im dhe babai i Evitës, ShBA apo Shqipëri, kam bërë rregullisht not deri për Vit të ri. Me një fjalë nuk kam pasur shqetësimet e zakonshme të grave shtatzënë. Këto ditë kthehet edhe Alessandro nga Madagaskari kështu që këto dy-tre javët e fundit para lindjes do të kem dikë pranë. Por jam e sigurt që gjithçka do të shkojë shumë mirë.
Gjithë fajin e ka Madagaskari.
Shtatzënia ime filloi në Madagaskar në qershor të vitit 2010. E zbuluam kur unë isha 5-javëshe. Ndërkohë,duke mos e ditur që isha shtatzënë, kisha vazhduar të zhytesha çdo ditë (sport, që më vonë më thanë është rreptësisht i ndaluar për gratë shtatzëna), të hidhesha nga shkëmbinj 10 metra të lartë në ujë. Madje më kishin pickuar mushkonja mokafui, tipike të Madagaskarit që mund të sjellin edhe malarien, vazhdoja të haja nëpër kasolle ushqime të gatuara aty për aty me mjete rrethanore nga banorët e ishullit në kushte jo të mira higjienike por që mua më pëlqejnë shumë.Kur e zbuluam u kthyem menjëherë në Itali për të bërë vizitat mjekësore e për të parë nëse gjithçka ishte në rregull, duke qenë se unë “nuk isha sjellë edhe aq mirë”. Për fat, Evita qëlloi shumë e fortë, dhe ja ku jam tani, në muajin e nëntë dhe ajo lëviz e shkallmon brenda trupit tim.Përsa i përket ndjesisë së të pasurit një qenie njerëzore brenda teje, gjakun e gjakut tënd, që jeton me ty, ushqehet nga ty, rritet brenda teje, mund të të flas me orë të tëra. Është eksperienca më e bukur, më emocionuese, më e rëndësishme që një grua mund të përjetojë në jetën e saj. Kam qarë me ditë të tëra nga gëzimi dhe lumturia dhe tani që i ka ardhur fundi,me zor pres ta ‘’takoj’’ e ta mbaj në krahë e  të shoh se ç’fytyrë ka, ç’zë ka kur qan, ç’karakter ka, gjithçka. Duhet të them që fillimisht pata një çast frike, nuk di si ta shpjegoj, pyesja veten nëse do të isha e zonja. Por ky ishte vërtet vetëm një çast, shumë shpejt lumturia i zuri vendin çdo ndjenje tjetër.
Romë, Tiranë, Madagaskar. Shumë vetë nuk dinë as ku bie ky ishull.
Sa e çuditshme është jeta. Alessandro është nga Milano dhe jeton prej 5 vjetësh në ishullin e Madagaskarit në Afrikë ku punon si zhytës profesionist. Unë jetoj në Romë prej kaq vjetësh, dhe njëherë që vendosa të shkoja në fund të botës për t’u çlodhur e për të qëndruar vetëm, rashë në dashuri.Ishte dhjetori i vitit 2008 dhe sapo kisha mbaruar prezantimin e festivalit të këngës në Shqipëri. Isha shumë e lodhur dhe e stresuar (më shumë nga prapaskenat e pakëndshme që pata gjatë punës sesa nga puna në vetvete). Vendosa që me të mbaruar të ikja sa më larg. Mora hartën, pashë mirë e mirë ku mund të arratisesha e meqë më pëlqen shumë deti vendosa për Madagaskarin. Organizova udhëtimin dhe u nisa. Ditën e parë të pushimeve, e dehur nga ngjyrat, aromat dhe panoramat e këtij ishulli magjepsës,kuptova se nuk do largohesha dot lehtë nga ai vend. Por jo që do të kthehesha aq shpesh (qesh Elsa me të madhe)Meqë prej vitesh bëj zhytje iu drejtova njërës prej qendrave të zhytjes në ishull për të prenotuar ndonjë ekskursion nënujor.
Dhe aty gjete Alessandron…
Po. Nga çasti i parë, nuk u ndamë më: për sa kohë ndenja në ishull isha me të, qoftë mbi ujë e qoftë nën ujë. Nuk e prisnim një shpërthim të tillë por që të dy ndoqëm instinktin dhe përjetuam çdo çast në kornizën plot ngjyra të ishullit, mes palmave, rërës së bardhë dhe detit të kristaltë. Filluan arratisjet tona me varkën e tij modeste nëpër ishuj të pabanuar,ndërtimin e tendave nëpër plazhe ku nuk kish njeri veç nesh dhe ku darkave ndiznim zjarr dhe piqnim peshqit që kishim kapur në varkë gjatë ditës, shëtitjet nënujore nëpër kopshte koralesh shumëngjyrëshe. Ka qenë një udhëtim fantastik ai dhe të gjithë të tjerët që pasuan. Sepse ndihem si në një ëndërr të bukur që vazhdon ende dhe asnjë prej të dyve nuk dëshiron të zgjohet!Kështu nisën udhëtimet e mia të shpeshta për në Madagaskar. Kryesisht për ‘’il mal d’amore’’ por edhe sepse më pëlqen Afrika, e dua atë tokë,një kontinent që mban mbi lëkurën e tij bukuri mahnitëse natyrore,tradita të hershme tribale e histori të dhimbshme popujsh të vuajtur. Qiejt e Afrikës me perëndimet marramendëse, xhungla dhe gjithçka ajo fsheh brenda,banorët me thjeshtësinë,naivitetin dhe prakticizmin e tyre, koha që duket sikur atje rrjedh shumë më ngadalë se këtu te ne, të gjitha këto bëjnë padyshim që të të vijë ‘’il mal d’Africa’’.
(…)
Megjithëse je me barkun te goja nuk ndalesh një çast.
Unë dhe Evita nuk kemi ndalur asnjë çast deri më sot. Kemi fluturuar pa fund sa për punë e sa për të shkuar në Madagaskar. Kemi lëvizur të dyja me motor nëpër qytet. Edhe këto ditët e fundit jam marrë me përgatitjen e dhomës së Evitës. Më është dashur t’u marr hua një furgon të vogël ca miqve të mi këtu në lagje e të shkoj te IKEA për të blera ca gjëra. E pastaj montoj e çmontoj në shtëpi. Me një fjalë nuk rri një minutë rehat. Natyrisht që çdo lëvizje e bëj me kujdesin më të madh por gjithsesi kam vazhduar të jetoj sipas natyrës sime.Deri tani në muajin e tetë nuk kam pësuar transformime apo deformime. Kam shtuar pak në peshë. Jam pothuaj ajo që kam qenë por me barkun e madh e të rrumbullakët, normal për një grua shtatzënë. Kam besim se pas lindjes,me pak force vullneti do të rikthehem në formën fizike të mëparshme. Por edhe nese nuk rikthehem ajo që isha, për mua nuk ka asnjë problem pasi nuk i kam dhënë asnjëherë përparësi trupit por të tjera gjërave.
Alessandro kthehet nga Madagaskari këto ditë. E ke pasur të vështirë ta përballosh këtë periudhë paralindjeje vetëm?
Vetëm i thënçin. Në fakt unë kam vazhduar të bëj 9 orët e fluturimit për në Madagaskar deri në dhjetor, prandaj praktikisht nuk shihemi vetëm prej afro gjashtë a shtatë javësh.Megjithatë ai është shumë i kujdesshëm të më qëndrojë pranë me telefon dhe internet dhe siç po thosha tani kthehet për të kaluar së bashku këto javët e fundit të shtatzënisë dhe muajin e parë të jetës së Evitës. Më pas ai do të niset për në Madagaskar,ku do të shkoj edhe unë me vajzën sapo ajo të jetë forcuar dhe rritur pak. Kur Evita të bëhet tre-katër muajshe, do të udhëtojmë së bashku drejt ishullit magjik ku nisi gjithçka.Babi, motra, gjyshërit me të cilët je shumë e lidhur dhe afërmit e tu si e pritën lajmin e Evitës?
Babai im që do të bëhet gjysh për herë të parë, ndonëse në pamje duket shumë i ri, motra, gjyshërit e mi të dashur që bëhen stërgjyshër, të gjithë të afërmit dhe miqtë e pritën lajmin e ardhjes së Evitës me një emocion e dashuri shumë të madhe. Të gjithë kujdesen gati çdo ditë që me telefon të informohen mbi shëndetin tim dhe të vajzës.
(…)
Familja e re, do të thotë më pak karrierë?
Unë kohët e fundit jam marrë pak me karrierën time, por nuk e kam braktisur asnjëherë dhe nuk kam ndërmend ta bëj. Angazhimet e mija të fundit kanë qenë në Tiranë para dy vjetëve me prezantimin e festivaleve të këngës. Punë e lodhshme dhe plot prapaskena që më stresuan. Në vitin 2008 kam qenë në Amerikë për të xhiruar një dokumentar për TVSh-në mbi Saimir Pirgun, mik i mirë dhe tenor i shkëlqyer. E ndoqa për disa ditë rresht teksa vihej në skenë opera “Gianni Schicchi” në Los Angeles Opera nën regjinë e Woody Allen-it. Eksperiencë shumë e bukur, që më dëfreu pa masë. Ndërsa vitin e shkuar më thirri një tjetër mik, Olen Cesari, për të kënduar për të një këngë, “A kanë ujë ato burime”, për diskun e tij të parë që doli në tregun digjital nëntorin e shkuar.
Në të ardhmen? Me siguri fillimisht do të jem mami 24 orë në ditë, por mendoj se shumë shpejt Evita do të më frymëzojë shumë dhe do të më japë forcë dhe energji akoma më pozitive për të realizuar projekte të bukura muzikore. Ardhjen e saj e ndiej dhe e shoh si shtysë drejt kreativitetit akoma më të madh dhe aspak si pengesë. Besoj se kur të shoh sytë dhe buzëqeshjen e saj, poezitë e tingujt do të lindin vetvetiu. Bota dhe realiteti  i vështirë që na rrethon përditë duke na ngurtësuar fantazinë dhe ndjenjën, do të marrin dritë të re, ngjyra të reja.
Keti Biçoku
Intervista e plotë është botuar në Bota Shqiptare 254, 1-15 mars 2011

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here