HYRJE Eduard Zaloshnja Eduard Zaloshnja: Ekonomia dhe kriza politike

Eduard Zaloshnja: Ekonomia dhe kriza politike

0
129

Objektivi i çdo ofruesi mallrash apo shërbimesh (privat ose shtetëror) është që të plotësojë nevojat e qytetarëve për to. Në qoftë se qytetari nuk ka nevojë për një mall apo shërbim të caktuar, humbet edhe arsyeja e ofrimit të tij. Por kjo arsye mund të bjerë edhe kur qytetari nuk ka mundësi ta blejë mallin apo shërbimin e ofruar – pra, kur qytetari nuk ka fuqi blerëse. Zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare tregojnë se pikërisht fuqia blerëse e qytetarëve po bie.

Bazuar në të dhënat më të fundit të faqes së internetit të CIA-s amerikane dhe të raportit të The Economist Intelligence Unit, mund të llogaritet se në Shqipëri konsumohen brenda një viti rreth 11.5 miliardë dollarë mallra e shërbime të ofruara nga privatët dhe shteti (shteti dhe organizata bamirësie private ofrojnë disa shërbime e mallra falas, por sidoqoftë edhe ato e kanë koston e tyre). Në vlerën e mallrave/shërbimeve që konsumohen në Shqipëri, janë të trupëzuara rreth 3.4 miliardë dollarë mallra/shërbime që importohen, ndërkohë që trupëzohen edhe rreth 1.2 miliardë dollarë në formën e konsumimit të makinerive dhe mjeteve të importuara. Me fjalë të tjera, për çdo 100 dollarë mallra e shërbime të konsumuara në Shqipëri, rreth 40 dollarë shkojnë jashtë vendit për të mbuluar vlerën e importeve.

Për ta bërë paragrafin e mësipërm më të kuptueshëm për lexuesin, le të sjellim disa shembuj. Sa herë blejmë një bukë në dyqanin pranë shtëpisë, më shumë se gjysma e 800-lekëshit që paguajmë shkon për të mbuluar importimin e grurit dhe konsumimin e makinerive, automjeteve, karburantit e materialeve të tjera të importuara që nevojiten për prodhimin dhe transportimin e miellit dhe, më pas, të bukës. Ndërsa kur blejmë domate të prodhuara në sera diku në Myzeqe, rreth 40% e çmimit mbulon konsumimin e impianteve, automjeteve, karburantit, e materialeve të tjera të importuara që nevojiten për prodhimin dhe transportimin e tyre. Për të mos folur pastaj për cigaret apo pajisjet elektronike, në çmimin e të cilave importi është trupëzuar në nivelin mbi 75%.

Por si ia kemi dalë ne që të dërgojmë jashtë Shqipërisë 40 dollarë për çdo 100 dollarë mallra dhe shërbime të konsumuara në vend?

Së pari, ky deficit është mbuluar nëpërmjet eksporteve të mallrave e shërbimeve shqiptare, të cilat kapin shifrën e 1.6 miliard dollarëve në vit. Së dyti, nëpërmjet dërgesave të emigrantëve, të cilat, kohët e fundit, mezi arrijnë nivelin e rreth 1 miliard dollarëve në vit. Së treti, nëpërmjet ndihmave dhe kredive të huaja që merr shteti dhe privatët shqiptarë, të cilat janë në nivelin 0.8 miliardë dollarë në vit. Së katërti, nëpërmjet investimeve të huaja direkte, që kapin shifrën e 0.4 miliardë dollarëve në vit.

Po t’i mbledhim së bashku këto burime, bëjnë rreth 3.8 miliardë dollarë. Pra, mbeten edhe 0.8 miliardë për të mbuluar 4.6 miliardë dollarët e importit të trupëzuar në vlerën e mallrave dhe shërbimeve që konsumohen çdo vit në vend. Dhe ku gjehen këto 0.8 miliardë dollarë? Le ta ulim zërin (që të mos na dëgjojë njeri): Janë paratë e trafiqeve ilegale dhe paratë e pista që futen në Shqipëri…

Duke parë listën e burimeve të financimit të deficitit tonë tregtar, dy syresh duken qartë që kanë tendencë zbritjeje. Së pari, dërgesat e emigrantëve janë vazhdimisht në ulje, për shkak të krizës ekonomike që ka mbërthyer vendet ku punojnë shumica dërrmuese e tyre, si dhe për shkak të shkëputjes graduale të lidhjeve me vendin e origjinës. Së dyti, paratë e trafiqeve ilegale dhe paratë e pista nga jashtë janë vazhdimisht në ulje, për shkak të trysnisë që ushtrojnë fqinjët tanë europianë ndaj qeverisë për t’i luftuar ato.

Tri burimet e tjera (eksportet e mallrave dhe shërbimeve, ndihmat dhe kreditë e huaja, investimet e huaja direkte) mund të rriten, për të zëvendësuar uljen e dy burimeve të para, vetëm në qoftë se vendi arrin stabilitet politik. Kështu, për shembull, industria dhe turizmi mund të bëhen një burim i rëndësishëm valute, në qoftë se investitorët strategjikë do të shohin shenja të mbarimit të kofliktit të egër politik 20-vjeçar në Shqipëri (Në tremujorin e parë të 2011-ës, investimet e huaja direkte u pakësuan me rreth 140 milionë dollarë, karahasuar me një vit më parë…) Në mungesë të një fluksi të rritur kapitali, eksportet industriale dhe turizmi ynë do të vazhdojnë të bazohen kryesisht te mineralet e papërpunuara, te prodhuesit e vegjël të fasoneve dhe te turistët modestë patriotikë nga trevat shqiptare përreth dhe nga diaspora. Gjithashtu, ndihmat dhe kreditë e huaja (institucionale dhe komerciale) nuk mund të rriten pa u realizuar stabiliteti politik i shumëpritur. Për shembull, mospranimi i kandidaturës së Shqipërisë në BE pengon të vijnë rreth 450 milionë dollarë në vit për fondet e zhvillimit rural, rajonal, dhe të burimeve njerzore.

Kriza aktuale politike rreth Bashkisë së Tiranës, jep pikërisht mesazhin e destabilitetit politik në Shqipëri. Një kalim në KQZ i mandatit të kryebashkiakut nga Rama te Basha siguron të paktën edhe dy vjet luftë të egër politike në vend. Ose, thënë me fjalë të tjera, siguron edhe për dy vjet tutjen e investitorëve strategjikë privatë e institucionalë, të cilët, përndryshe, mund ta shihnin Shqipërinë si një vend ku ia vlen të investosh…

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here