Home Eduard Zaloshnja Eduard Zaloshnja: “Urbani” Rama rihap debatin për zhvillimin rural

Eduard Zaloshnja: “Urbani” Rama rihap debatin për zhvillimin rural

1348
0

Një vend të rëndësishëm në programin e paraqitur nga Edi Rama në kongresin e PS-së zinte bujqësia. Rama deklaroi se rritja e parashikuar e punësimit do të vijë kryesisht nga ky sektor.  Dhe disa politikanë e analistë e kanë ironizuar “urbanin” Rama për këtë fokus të tij “rural”, njësoj si në kohën kur ai bënte turneun e famshëm “Dialog me Shqipërinë”, para 2009-ës. Ky ironizim mund të shpjegohet ndoshta me faktin se, në buxhetin familjar të këtyre politikanëve/analistëve, ndryshe nga buxhetet e shumicës së shqiptarëve të thjeshtë, shpenzimet për ushqime nuk zënë ndonjë peshë të konsiderueshme. Por, parë nga një këndvështrim më i gjerë, ata duhet të mos harrojnë se, në përgjithësi, zhvillimi rural i ka paraprirë zhvillimit industrial kudo në botë.

Kështu, pothuaj të gjitha vendet europiane e filluan zhvillimin e vrullshëm industrial të shekujve të fundit pasi i hoqën zhvillimit rural pengesat që pronësia feudale mbi tokën kishte imponuar për më shumë se një mijëvjeçar. Amerika e Kanadaja, gjithashtu, e filluan zhvillimin industrial pasi kishin arritur të bëheshin superfuqi në prodhimin bujqësor. Ndërsa në Azi, Japonia e Kina e filluan rrugën drejt shndërrimit në vende të zhvilluara industriale pas reformave të suksesshme në bujqësi (Në Japoni, gjenerali amerikan McArthur kompensoi pronarët e tokave që iu shpërndanë fshatarëve që i punonin ato, ndërsa në Kinë, e cila kishte vuajtur nga kolektivizimi ekstrem maoist, shteti ia shpërndau tokën për përdorim anëtarëve të komunave, ndërkohë që vazhdoi t’i ndihmonte me furnizimin e lëndëve të para dhe grumbullimin e produkteve bujqësore).

Por a egziston mundësia që një vend të zhvillohet kur ka një bujqësi që nuk mbulon as gjysmën e nevojave të popullsisë për ushqim – siç është rasti i Shqipërisë? Raste të tilla egzistojnë, por nuk janë të shumta. Arabia Saudite është shembulli i parë që të vjen në mendje kur kërkon të gjesh shembuj të tillë. Duke patur një burim natyror tejet të kërkuar në tregjet botërore – naftën – sauditët nuk kanë nevojë të kenë një bujqësi të zhvilluar. Madje, edhe po të duan ta kenë, nuk e realizojnë dot në shkretëtirën arabe… Një shembull tjetër është rasti i Panamasë, e cila është një importuese neto e produkteve bujqësore, por që e mbulon këtë deficit me të ardhurat nga turizmi dhe transporti në kanalin e famshëm që e përshkon atë.

Duke u kthyer te Shqipëria, dihet që ne nuk kemi as burime natyrore të tipit saudit e as shanse reale të bëhemi një pikë e rëndësishme transporti e turizmi e nivelit të Panamasë. Në vitet komuniste, ne arritëm të ushqeheshim falë ndihmave ruse e kineze për modernizimin e bujqësisë. Dhe pasi ndihmat u ndërprenë, ushqimi na u racionua. Kurse, në 20 vjetë e tranzicionit demokratik, Shqipëria i ka plotësuar nevojat për importimin e ushqimeve kryesisht nëpërmjet eksportimit të emigrantëve (të cilët u kanë dërguar para familjeve të tyre), dhe nëpërmjet valutës së trafiqeve të paligjshme. Por dalëngadalë, këto burime do të shterojnë – emigrantët nuk do të dërgojnë më para, ndërsa trafiqet ilegale do të kufizohen gjithnjë e më tepër nga BE-je, pjesë e së cilës duam të bëhemi. Pikërisht për këto arësye, zhvillimi rural duhet të kthehet në një debat kryesor publik.

Dhe për të dhënë pak material për këtë debat, le të analizojmë shkurtimisht disa shembuj të modeleve të suksesshme për zhvillimin rural.

1 – Modeli amerikan. Pas zaptimit të tokave të vendasve në mënyrë individuale, kolonët amerikanë e kuptuan se, që të ishin të suksesshëm, duhej të bashkëpunonin me njëri-tjetrin për blerjen e lëndëve të para dhe për shitjen e produkteve. Gradualisht, ata krijuan agjensi të tyre të përbashkëta për këtë qëllim, të cilat sot menazhojnë volumin kryesor të blerjeve të lëndëve të para dhe të marketingut të produkteve bujqësore. Ndërkohë, secili fermer merret me procesin e prodhimin në fermën e tij në mënyrë individuale. Një gjë të ngjashme në Shqipëri mund ta gjesh në komunën Xarë të Sarandës, ku fermerët bashkëpunojnë për blerjen e lëndëve të para dhe shitjen e produkteve. Si rezultat, atje jo vetëm që nuk mjafton fuqia punëtore lokale, por vijnë punëtorë edhe nga komuna të tjera. Në qoftë se shteti do të inkurajonte financiarisht bashkëpunime të tilla në komuna të ndryshme të Shqipërisë, prodhimi bujqësor vendas do të rritej dhe, për rrjedhojë, do të rritej edhe punësimi.

2 – Modeli europian. Duke patur një kulturë më etatiste, shumë shtete të kontinentit të vjetër, kanë krijuar ndërmarrje në bashkëpronësi me sipërmarrës privatë e fermerë, për të ngritur rrjetin e furnizimit me lëndë të para dhe thithjen e produkteve bujqësore. Një shembull i ngjashëm në Shqipëri është tregu me shumicë i fruta-perimeve në Lushnjë, i financuar nga Banka Botërore. Ky model mund të funksionojë mirë në një bujqësi me ferma të vogla të specializuara në perime, fruta e qumësht, produkte që kanë kërkesa të larta për krahë pune (Sipas Bankës Botërore, produktiviteti i fermerëve të Lushnjës është rritur dyfish pas ndërtimit të treguthttp://www.Worldbank.org.al/WBSITE/EXTERNAL/COUNTRIES/ECAEXT/ALBANIAEXTN/0,,contentMDK:20587388~pagePK:141137~piPK:141127~theSitePK:301412,00.html).

3 – Modeli kinez. Me ardhjen e Tien Siao Pinit në fuqi, siç u përmend më sipër, toka e komunave maoiste iu shpërnda anëtarëve të tyre dhe ndërmarrjet shteterore siguruan furnizimin me lëndë të para dhe tregëtimin e tepricave të prodhimit. Si rezultat, për 10 vjet në Kinë, u dyfishua prodhimi bujqësor dhe 300 milionë kinezë u ngjitën mbi nivelin e varfërisë ekstreme (Për arsye të vetkuptueshme politike, ky model mund të mos propozohet sot në Shqipëri – atë mund ta kishte propozuar Ramiz Alia në 1985-ën).

4 -Modeli japonez. Pas Luftës së II Botërore, Japonia, deri në 28 prill 1952, u qeveris nga një administratë e forcave aleate, të drejtuar nga gjenerali amerikan MacArthur. Gjatë asaj kohe, ai zbatoi reformën agrare (me shpërblim të ish-pronarëve) dhe, më pas, inkurajoi koncentrimin e fermave në sipërmarrje të suksesshme bujqësore, nëpërmjet blerjes apo marrjes me qera të tokës nga ata që morën guximin dhe që dinin si ta bënin mirë atë punë. Ndërkohë, ata që e shitën apo e dhanë tokën me qera u kthyen në punëtorë të thjeshtë të fermave ose migruan në qytete. Por, a mund të funksionojë ky model tek ne? Jo në të ardhmen e afërt. Së pari, sepse do të dojë kohë që titujt e pronësisë së tokës të zbardhen përfundimisht dhe së dyti, sepse do të dalë në skenë përsëri termi argat (japonezët s’e patën problem këtë gjë). Sidoqoftë, në të ardhmen e largët, koncentrimi i fermave në sipërmarrje të suksesshme bujqësore do të jetë i pashmangshëm edhe në Shqipëri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here