Home Mustafa Nano Dua të shkoj të dielën në stadium, por …

Dua të shkoj të dielën në stadium, por …

794
0

Mustafa-NanoFutbolli është një gjë e rëndësishme në jetën time. E kam ndjekur gjithë kohën atë. Qysh nga momenti që më ka lindur ky pasion, nuk kam lënë të më ikë – as në periudhat e paqeta të jetës sime – ndonjë prej veprimtarive e ngjarjeve futbollistike të botës. Por futbollin shqiptar kam kohë që nuk e ndjek, me përjashtim, kuptohet, të kombëtares së këtyre kohëve që, falë italianit De Biasi dhe disa djemve tanë që luajnë në Europë, ka zënë të luajë një futboll të bukur e, për këtë shkak, u ka rënë në sy të gjithëve. Nuk bëj pjesë tek ata që mendojnë se kemi një shans apo se e meritojmë të kualifikohemi në Europianin e ardhshëm (jemi ende larg niveleve të tilla), por kërcimi cilësor që kjo skuadër ka kryer, është një gjë që duket.

Po kthehem te futbolli që luhet në Shqipëri. Si të shumtët e njerëzve të pasionuar pas futbollit në këtë vend, nuk kam shkuar asnjëherë në stadium, nuk kam ndjekur lajmet e programet TV mbi futbollin shqiptar, e nuk kam pasur si pjesë të bisedave të mia gjëra që kanë të bëjnë me këtë futboll. Numri i madh i gazetave sportive dhe i programeve TV, ku është folur shumë për gjithçka ka ndodhur me këtë futboll, nuk kanë mundur të ma mbushin mendjen se nuk do të ishte kohë e humbur të ndiqja ndeshjet e Kategorisë Superiore. Dhuna mes lojtarëve, mes këtyre të fundit e gjyqtarëve, dhe mes tifozëve, tok me një numër personazhesh të dyshimtë që kanë marrë përsipër të bëjnë, jashtë çdo logjike biznesi, financimin e skuadrave e tok, më në fund, me një thashethemnajë (gli addetti ai lavori të thonë se nuk është thashethemnajë; është një nga pak gjërat e vërteta që kanë të bëjnë me futbollin shqiptar) mbi shitje ndeshjesh në kompeticionet europiane midis klubeve, nuk më kanë lënë për asnjë çast ta marr seriozisht në konsideratë idenë për ta ndjekur Kategorinë Superiore.

Për herë të parë, pas tridhjetë vitesh, kam ndjekur një ndeshje tonën në muajin shtator. Ishte Dritan Shakohoxha që më ftoi të shkoja në stadiumin “Qemal Stafa” (Nuk kuptohet pse nuk mendojnë ta pagëzojnë ndryshe stadiumin më të mirë e më të madh tonin, dhe me këtë që po them nuk është se po bëhem palë në “ndeshjen ideologjike” mbi Luftën e Dytë Botërore; jo, thjesht po them se emri i Qemal Stafës nuk ka asnjë lidhje me futbollin) për të parë ndeshjen Tirana-Flamurtari. “Do të mbetesh shumë i kënaqur; kanë ndodhur ndryshime të mëdha; të gjithë mendojnë se ky sezon futbollistik do të përurojë një stinë të re në futbollin shqiptar”, më tha në thelb Shakohoxha, i cili dukej që e besonte këtë që më thosh. Madje, i shkëlqenin sytë prej gëzimit. Dhe kish të drejtë. Unë pashë një ndeshje shumë të mirë. Nuk m’u duk se ajo ndeshje ndryshonte kushedi se çfarë nga shumica e ndeshjeve të Serisë A, që ne i shohim në TV. Unë do të doja të shkoja sërish, e sërish, e sërish, në stadiumin “Qemal Stafa”, e në stadiume të tjera. Unë do të doja të shihja çdo të diel nga një ndeshje në stadium. Dy orët e harxhuara në një rrethanë të tillë do të ishin ndër më të bukurat e javës për mua. Dhe si puna ime ka me dhjetëra mijëra.

Mirëpo kjo nuk është e mundur. Pse? Sepse ndeshja e bukur nuk ishte e vetmja gjë që unë pashë atë herë. Madje, në mendje nuk më mbeti ndeshja, por mjedisi ku kjo ndeshje u zhvillua. Në tribunë isha i rrethuar nga tifozë të eksituar në mënyrë të frikshme. Dhe këta ishin asgjë në krahasim me disa mijëra tifozë të Tiranës që ishin në anën tjetër të stadiumit, përballë tribunës, të cilët për 90 minuta të tëra nuk bënë gjë tjetër, veçse shanin në kor, dhe me klithma, gjyqtarin e ndeshjes. Ishte një rrugaçëri kolektive që ma zinin sytë për herë të parë. Në stadium kishte dhe gra që atje i kish çuar pasioni i tyre për futbollin apo ndoshta pasioni për burrat e tyre; kish edhe fëmijë që u bënin shoqëri prindërve, por ai mjedis nuk ish për ta. Ua hidhja sytë herë pas here për të parë efektin e rrugaçërisë mbi ta, si për t’u thënë se “e kuptoj hallin që u ka zënë”, por gjithëherën i gjeja të thëthirë nga ndeshja e nuk e kishin mendjen te përdëllimi a solidariteti që mund t’u dhuronte dikush. Por kjo, afërmendsh, nuk do të thotë se ajo rrugaçëri është ok.

Dhe të kuptohemi, nuk është se këtë punë e shoh me sytë e namusqarëve shqiptarë, që nuk ia dalin dot të asociojnë gratë apo fëmijët, me fjalët e pista. Puna është se ai kor, ato klithma e ajo dhunë verbale, e pasuar edhe me dhunë fizike në fushë, e shndërronin stadiumin në një mjedis, ku ti nuk ndiheshe rehat. Ti mund të ishe burrë, mund të ishe dhe tifoz i Tiranës, dhe ti prapëseprapë (nëse nuk do të ishe i shkalluar, sigurisht) do të ndiheshe ligsht dhe i dhunuar. Në stadium shkohet për t’u argëtuar, por në atë rrethanë veç për argëtim nuk bëhej fjalë. Ai mjedis ishte i pushtuar nga njerëz, që ishin me idenë se ishin në shtëpinë e tyre, e ku, për këtë arsye, mund të bënin ç’të donin.

Ma risollën në mendje atë situatë përleshjet e pardjeshme mes tifozëve të Elbasanit e të Tiranës në shkallët e stadiumit “Elbasan Arena”. Mediat bënin raportime kontradiktore (një pjesë bënin me faj tifozët e Tiranës e një pjesë bënin me faj ata të Elbasanit), por duket se është e kotë të vësh gishtin te njëra tifozeri apo te tjetra. Të gjitha tifozeritë janë njësoj. Të gjitha stadiumet janë gjithashtu po njësoj, d.m.th. mjedise të pushtuara nga banda djemsh bjerraditë e të dhunshëm, që të dielën mezi e presin për të zbrazur gjithë dufin e zhgënjimet e tyre të javës, ndoshta edhe të jetës. Është i gjithë futbolli që është i përfshirë në një gjeratore dhune. Dhe fajtorë për këtë dhunë janë të tërë, klubet, presidentët e tyre, federata, gazetat e gazetarët sportivë, komentatorët e ekspertët e futbollit, policia dhe politika.

Kjo e fundit duhet të vihet në lëvizje e para. Futbolli shqiptar ka nevojë për reforma, të cilat bën vaki që, në ndryshim nga sektorë të tjerë, janë pa kosto. Ose me kosto të vogël. Janë në radhë të parë reforma ligjore që do të duhej të bënin të mundur shndërrimin e klubeve në kompani biznesi, që do të duhej të përcaktonin nivelin e humbjeve të këtij biznesi në një periudhë të caktuar kohe, që mund të quhej periudha e inkubacionit për këto biznese, që do të duhej të përcaktonin marrëdhëniet e klubit me tifozët, që do të duhej të synonin të zgjonin interesin e bizneseve serioze për të blerë paketën kontrolluese të aksioneve në një klub futbolli, që do të duhej të përcaktonin llojin e pronësisë mbi mjediset sportive, të drejtat televizive etj., etj. Këto reforma janë premtuar edhe me bujë, pas një zinxhiri aktivitetesh të zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit, që edhe shfrytëzonin ndjeshmërinë që ekzistonte, edhe synonin të krijonin ndjeshmëri ekstra për këtë argument. Mirëpo nuk është dhënë deri më tani asnjë sinjal që të tregojë se janë duke menduar për këtë punë. S’e kanë fare në axhendë? E kanë planifikuar për ta bërë në një kohë tjetër gjatë këtij mandati qeverisës? Apo aktorët që janë të interesuar ta ruajnë këtë status quo ia kanë dalë ta fikin vullnetin politik për ta reformuar botën e futbollit shqiptar?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here