Home Artur Zheji Do ta provojnë edhe gjermanët!

Do ta provojnë edhe gjermanët!

660
0

gjermani-merkelLajm i mirë. Përtej së majtës dhe së djathtës. Vëmendja gjermane në Shqipëri, është tejet çdo dyshimi pozitive. Deklarata e zv/Kryetarit të Bundestagut, se: ‘Shqipëria është një spirancë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor’, është një thelë e majme në tryezën gjeopolitike shqiptare me këmbë shumë të holla.

Fakti që kryeministri shqiptar, thuhet me të madhe se në Berlin do të kërcejë një vals dysh me kancelaren Merkel (do të shkonte më mirë në sintaksën kuptimore një tango dyshe, por meqë flasim për ‘vëllezërit’ gjermanë, duhet ta bëjmë këtë koncesion në favor të valsit), shkakton mërziti të madhe ndër ballkanas dhe ndër shqiptarët që nuk duan Ramën. Mirëpo ka së paku Pesë Arsye që valsi gjeopolitik shqiptaro-gjerman, është në të mirë të të gjithëve dhe roli i kavalierit, që Shqipëria do të luajë në fund të gushtit, përfaqësuar prej njërit nga kryeministrat e vet, është padyshim një rol i merituar.

Arsyeja e Parë, është se jemi padyshim më të varfërit e Ballkanit. Jemi kopështi më i mbrapshtë dhe më pa gjelbërim në Europë. Diku një copë xhungël urbane, diku një kënetë, diku një perlë natyrore me një ndërtim në formë uturaku në majë të kreshtës. E pra, si të thuash, gabim pas gabimi, lëshim pas lëshimi, jemi de facto më jo-europianët e Europës. E pra, kemi të domosdoshëm një proces ‘civilizimi’ radikal dhe europianizues. Me sa duket zonja Merkel, si ish gjermano-lindore që është, mendon se di të na mjekojë dhe gjykon që sëmundja jonë e keqqeverisjes patologjike, është një sëmundje e shërueshme.

Sigurisht, ky është veçse aspekti formal dhe retorik i çështjes.

Arsyeja e Dytë, është pozicioni gjeografik që Shqipëria ka në Ballkan. Një urë natyrore mes Orientit dhe Oksidentit. E vendosur pikërisht në qendër të Gadishullit. Pozicion gjeografik që kyç edhe një dimension gjeopolitik të dorës së parë.

Jo sllavë, jo latinë, jo saksonë, jo grekë. Ashtu si hungarezët, tejet të mëvetshëm nga pikëpamja etnike dhe gjuhësore, shqiptarët kanë zgjedhur Perëndimin, së paku për 500 vite rresht, nga Gjergj Kastrioti e këtej. Të qënit një fis e një farë e mëvetshme i ka lënë fiset shqiptare për shekuj pa aleatë racialë, fetarë, apo kulturorë. Dhe vendosmëria e tyre dhe e interesave të tyre jetike pro-perëndimore, ka impresionuar një shekull më parë Vjenën e mençur, që arkitektoi gjeopolitikisht Pavarësinë e Shqipërisë.

Arsyeja e Tretë, është tërësia e ndërthurjeve që Shqipëria ka me disa shtete përreth saj në Ballkan. Me Republikën e Maqedonisë, ku është ‘ortake’ në të paktën 35%, me Kosovën si pjesë konceptuale dhe reale e të njëjtit truall, me Malin e Zi, ku ka tokat dhe popullin e saj, me Greqinë, me të cilën ndan dhe e bashkon një keqkuptim hera-herës të përgjakshëm disashekullor, me Serbinë, kundër së cilës sapo kreu një luftë epike, e deri në Bukuresht. Ku në mënyrë folklorike mund të themi, si edhe e kam dëgjuar vetë nga goja e ish-kryeministrit rumun, Adrian Anastase në vitin 2002, se etimologjikisht, Bukuresht vjen nga shqipja: bukur’ësht. Se si, se qysh se tek, Anastase e di. Mua vetëm më pëlqen.

Të gjitha këto ndërthurje pra, term ky i zgjedhur me elegancë, janë ndërveprime potenciale që Shqipëria nuk i ka përdorur kurrë në mënyrë konfliktuale. Mbase jo për moralin e saj të lartë, por sepse ndoshta, klasa jonë politike ka dashur më së tepërmi rehatin dhe paranë e vet korruptive, sesa kokëçarjet e aventurave ambicioze gjeopolitike. Për të cilat i mungon qartazi shkollimi i duhur dhe padyshim motivimi. Qoftë ky edhe i gabuar, por sidoqoftë ideal. Deri më sot, këtë dembeli apo egoizëm e kemi reklamuar si ‘flamurtarë të paqes’.

Por në mos sot, nesër, ky kapacitet ndërveprues shqiptaro-shqiptar mund të aktivizohet gjithëqysh si faktor i mundshëm destabilizues.

E pra duhet integruar. E përmes integrimit duhet kontrolluar. Kështuqë, pak rehabilitim publik dhe pak kompensim publicitar në Berlin, për shefin aktual të shqiptarëve, është e shëndetshme, ndoshta mendon kancelarja Merkel.

Arsyeja e Katërt, lidhet progjermanizmin impresionues të shqiptarëve, të të dy Shqipërive, asaj të ‘Veriut’ dhe asaj të ‘Jugut’. Se ne jemi i vetmi vend në Europë, së bashku me Qipron dhe ndër të paktat vende në Botë, të ndarë në Veri dhe Jug, si Koreja për shembull, se edhe Vietnami u bashkua.

Shqiptarët, nga dashuria e madhe e dikurshme për Vjenën fisnike të Pavarësisë së Shqipërisë, nga miklimet e retorikës gjermane të Luftës së Dytë Botërore, nga konstituimi i Shqipërisë Etnike, në vitet ’40, nga të qënit për një kohë të gjatë në të njëjtën llogore oksidentale, nga pasioni i tyre për deutsche futbollin, janë padyshim edhe filogjermanë. Dhe kjo nuk është pak për Kancelaren Merkel, aspak popullore në Greqi apo në Serbi, për arsye dhe frustrime që dihen. Mos të flasim pastaj për dipendencën maniakale që shqiptarët kanë për veturat gjermane. Ndoshta një reminishence e largët, e parkut të përmbytur nga Mercedes-Benz-at luksozë të Udhëheqjes së Partisë së Punës në vitet ’70 -’90. Ky filogjermanizëm, mendon ndoshta zonja Merkel, është një premisë e mirë për sipërmarrjet gjermane. Rezervat e pamata të kromit, burimet e pazbuluara të naftës, në tokë dhe në det, nuk janë për t’u nënvleftësuar. Shqipëria është ndoshta një treg modest, por sidoqoftë në rritje. Me det dhe mal dhe liqene interesante. Me shumë diell dhe turizëm që mund të shpëtohet ende. Dhe shqiptarët janë dashamirës në thelb, përtej lëvozhgës gjembaçe të karakterit të tyre, i kanë raportuar zonjës Merkel. Arsyeja e Pestë- Gjermania ndjehet e vetëmjaftueshme për të krijuar rrethin dhe orbitën e saj të vendeve periferike, por me një lloj rëndësie në fushën e përgjithshme të shahut gjeopolitik. Pra Gjermania duket, se ka edhe arsyen e saj thjesht gjermane të vlerësimit të përparësive, përpos valencave europiane dhe të Aleancës Perëndimore. Dhe kjo është në favorin e tyre dhe ushqehet e mbahet në këmbë nga fuqia e tyre. E pacenuar nga kriza që ka përgjunjur pjesën tjetër të Europës, por jo gjermanët. Dhe kjo është edhe në favorin e padyshimtë të Shqipërisë. Përtej së majtës dhe së djathtës, kaq, po kaq relative të rreshtimit politik shqiptar.

“Mapo”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here