Home Sport Dinamo eliminohet nga Champions League

Dinamo eliminohet nga Champions League

642
0

Dinamo është eliminuar nga Champions League edhe pse fitoi 1-0 ndaj Sherifit të Tiraspolit në “Qemal Stafa”.

Humbja 3-1 e një jave më parë në Moldavi ka kushtëzuar kualifikimin e kampionëve të Shqipërisë, që gjithsesi dhuruan një paraqitje pozitive ndaj një skuadre me buxhet shumë herë më të lartë. Ndonëse me disa mungesa të rëndësishme, si Bakaj apo Diop, blutë nuk kanë mundur të bëjnë dot mrekullinë edhe pse i shkuan shumë afër asaj. Goli i Emiljano Vilës në minutën e 18-të krijoi idenë se Dinamo do të bënte përmbysjen e madhe, por një gjë e tillë nuk ndodhi, duke bërë që skuadra shqiptare t’i thotë lamtumirën që në turin e parë kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Presidenti i Dinamos Besnik Sulaj kishte vendosur 250 mijë euro premio për kualifikimin përballë kampionëve të Moldavisë. E megjithatë, goli i Vilës ka qenë i pamjaftueshëm, ndërsa argjentinasi Martinena ka humbur disa mundësi të mira për të shënuar golin e dytë. Pas një pjese të parë të dominuar totalisht nga Dinamo, në të dytën Sherifi i Tiraspolit u mbrojt mjaft mirë, duke mos lejuar më hapësira. Gjithsesi, ndeshja u vendos më shumë nga rezultati i arritur në Tiraspol, ku ekipi shqiptar u mund 3-1, falë edhe një arbitrimi të keq.
Sherifi i Tiraspolit është skuadra më e madhe moldave, që fiton rregullisht kampionatin prej vitit 2001. Ajo është pronë e presidentit të republikës së vetëshpallur të Tiraspolit, Igor Smirnov, një ish-shef i KGB-së ruse dhe ish-funksionar i Partisë Komuniste në Bashkimin Sovjetik. Që prej vitit 1990, ai e ka shpallur Tiraspolin republikë të pavarur, por ajo njihet vetëm nga Rusia dhe sot është një nga qendrat e krimit në Evropë. Sherifi i Tiraspolit ka një buxhet afro 15 milionë dollarë në vit, ndërsa një vit më parë arriti të kalonte dy ture të Champions League, duke u mundur më pas nga Olimpiakosi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here