HYRJE Politike Detajet e ceremonisë/ Meta betohet sot President

Detajet e ceremonisë/ Meta betohet sot President

0
27

Ilir Meta do të marrë sot zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës, pas betimit që do të bëjë në Parlament, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për ditën e hënë, në orën 18:00. Presidenti i zgjedhur vetëm nga maxhoranca e majtë që në muajin prill, pritet të betohet sot edhe para deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët bojkotuan zgjedhjen e tij si kreu i ri i shtetit.

Në këtë ceremoni nuk do të marrin pjesë deputetët që dolën nga zgjedhjet e 2017-ës, por ligjvënësit që kanë fituar mandatin në legjislaturën e vitit 2013, pjesa më e madhe e të cilëve mbeti jashtë listave të zgjedhjeve të 25 qershorit. Ceremonia pritet të nisë në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë. Duke qenë se Ilir Meta ka aktualisht dhe postin e kryetarit të Kuvendit, rolin e tij pritet ta ushtrojë nënkryetarja, Valentina Leskaj. Pas leximit të formulës së betimit, Meta do të betohet para deputetëve të Kuvendit, dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse. Më pas, ceremonia e dytë zhvillohet në ambientet e Presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Bujar Nishani tek Presidenti i ri, Ilir Meta, i cili shoqërohet nga familja e tij.

Në mënyrë simbolike kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, do i dorëzojë Presidentit Meta kushtetutën e vendit. Ndërkohë që pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi. Pas këtij ceremoniali, Presidenti i ri do të mbajë një fjalë përshëndetëse para personaliteteve të ftuara në këtë aktivitet, si edhe qeveritarëve dhe trupit diplomatik të akredituar. Meta do të ushtrojë detyrën e Presidentit pa pasur në krah Zonjën e Parë. Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës, e zgjedhur si kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk ka pranuar të heqë dorë nga politika dhe të mbajë pozicionin honorifik të Zonjës së Parë.

Në ceremonialin e protokollit të shtetit nuk është parashikuar rasti i mospranimit të ushtrimit të këtij funksioni nga bashkëshortja. “Nëse Presidenti është i pamartuar ose i ve, asnjë nga familjarët e tij nuk mund të përfaqësojë apo të luajë rolin e zonjës së parë. Në veprimtarinë zyrtare, Presidenti i Republikës paraqitet i pashoqëruar”, – thuhet në ceremonial. Por në ceremonitë festive, Presidenti mund të marrë një nga familjarët, i cili trajtohet me status të veçantë, por jo si Zonjë e Parë.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here