HYRJE Politike Deputeti i PS-së Balla, përjashtohet nga Kuvendi

Deputeti i PS-së Balla, përjashtohet nga Kuvendi

0
47

Për më shumë se 5 orë ka zgjatur seanca e sotme parlamentare e cila u shoqërua me debate të ashpra pozitë- opozitë, ndërsa kryetarja Jozefina Topalli përjashtoi nga seanca deputetin e PS-së Taulant Balla për shpifje. Ndërkohë në tension, pasi opozita kishte bllokuar foltoren e parlamentit, shumica arriti të miratojë 11 projektligje.

***
Pas pushimit të kërkuar nga grupi i PS-së rifilloi seance parlamentare, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi kërkoi ndëprerjen e diskutimeve dhe kalimin në rendin e ditës.

Në këtë kohë, deputeti i PS-së Erjon Braçe, mori fjalën duke iu drejtuar kryetares Jozefina Topalli se ” ju përsonalisht keni shkelur rëndë Kushtetutën, pikërisht nenin e prezumimit të pafajësisë, ku keni sulmuar drejtëpërdrejtë, të paktën 4 deputetë me fakte të paqena me të dhëna të transformuara”

Në këtë kohë ndërhyn kryetarja e Parlamentit Topalli, e cila ndërpret fjalën e deputetit socialist, me pretekstin se fjala e tij nuk është e bazuar në rregullore.

Gjatë kësaj kohe kryetarja Topalli ka kërcënuar me përjashtim disa nga deputetët e PS-së.

Ndërkohë, pa votat e opozitës mazhoranca ka votuar 11 projektligje.

Është përjashtuar nga seanca parlamentare deputeti i PS-së Taulant Balla ndërkohë që po denonconte pasuritë e ministrave të kabinetit qeveritar Berisha. Kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli ka ndërprerë fjalën e deputetit socialist duke e akuzuar se po shpifte, në kohën që ai cilësonte shkeljet e kryera nga ministrat e mazhorancës. Sipas Topallit deklaratat e tij bazuar në rregulloren e parlamentit ishin shpifje. Pavarësisht se Kryetarja pranoi që në këtë rregullore thuhej se deputeti nuk mbante përgjegjësi për fjalët që deklaronte, ajo tha se këtu bëhej përjashtim në lidhje me shpifjen, pa cituar asnjë nen.

Balla në foltoren e parlamentit e cilësoi qeverinë Berisha si qeverinë e pastrimit të parave. Deputeti Balla tha se nësë shohim deklarimet e pasurive të kryeministrit edhe të ministrave të kabinetit e kupton se me çfarë qeverie kemi të bëjmë

“Kemi të bëjmë me një qeveri lavanteri që ju ka vjedhur shqiptarëve të drejten për të votuar” Ai foli për mijëra euro që fiton djali i kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, duke e cilësuar atë si sekser.

“Ka fitim neto nga aktiviteti privat 200 mijë euro djali i Berishës. Ai e ka fituar këtë shumë si sekser, sekseri i familjes Berisha ku shtëpia e tij është me shtatë ose tetë dhoma për kat”- tha Balla

Në qendër të dënoncimit të deputetit socialist ishin dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

Ministri Lulzim Basha, tha ai, përveç 230 milion eurove të cilat nuk është kuptuar asnjëhere se nga vijnë, ai gjithashtu vazhdon të jetë përgjegjës për vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm.

“Ilir Meta është majmur nga korrupsioni i parave të pista por mungojnë edhe dy banesa 1.2 milion euro të padeklaruara të cilat ndodhen në bregdet”

Ministri i Financave, vazhdoi më tej ai, dërdëllit sot, ka lënë dorë të lirë për të shitur pronat të pa vjedhura akoma.

Ministrja Majlinda Bregu e ka kthyer familjen fuqi energjetike s’ka lënë kunat pa i dhënë një hidrocentral, vazhdoi Balla denoncimin e tij, ndërsa shtoi se ministri Genc Ruli mban rekord për korrupsion.

I menjëhershëm ishte reagimi i ministrave të pranishëm në seancën parlamentare. Ministri Bujar Nishani dhe Ridvan Bode të cilët iu kundërvunë akuzave të deputetit socialist Taulant Balla.


Nishani: Shpifni ndaj familjes së kryeministrit

“Keni një vit me shpifje ndaj familjes së kryeministrit. Krijuat dhe montuat një video, ku implikonit kryeministrin”, tha ai duke shtuar: “Më vjen keq që PS-në e përfaqëson zoti Balla”.

Bode: Prokuroria fle mbi dosjet e 20 përqindëshit

“Në këtë Parlament detyrohemi të dëgjojmë shpifje dhe akuza të ulëta të njerëzve të papërgjegjshëm. U kundërvihem shpifjeve të ulëta të individëve që nuk janë të denjë për tempullin e demokracisë së këtij vendi. Kreu i opozitës është prej muajsh në prokurori për 20 përqindshat. Prokuroria fle mbi dosjet”.

“Ti je një shpifës ordiner, je njeri i padinjitet që të përdor si gëzhojë të plasur ai që rri në bashki”, iu drejtua ai Ballës. “Ju po bëni avokatinë me thonj, grushte e bomba”

Ka nisur në Parlament seanca plenare e radhës, e cila do të zhvillohet sipas rregullores së re të miratuar disa ditë më parë. Në të shqyrtohet p/ligji ‘Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së NATO-s për mirëmbajtjen dhe furnizimin për demontimin e municioneve”.

Në fjalën e tij, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, e cilësoi marrëveshjen shumë të rëndësishme. “Më 15 mars humbën jetën 26 shqiptarë të ndershëm e të pafajshëm, gra e fëmijë. Marrëveshja dëshmon se sa mundësi kishte që procesi i demontimit të mos binte në duar kriminale. Ata kanë demonstruar se pendim nuk ka. Të gjithë ndërtuan një organizatë kriminale e fitimprurëse. Pas miratimit të kësaj marrëveshjeje, shqiptarët do të ndihen më të sigurt”. Më tej, Braçe përmendi me radhë emrat e të gjithë viktimave të Gërdecit, duke theksuar se vdekja e tyre do të ishte evituar nëse kjo marrëveshje do të realizohej para 15 marsit të 2008-s.

Deputeti i PS u shpreh i shqetësuar për përfshirjen e Shqipërisë në transaksione të armëve e municioneve. “Kam dokumente që dëshmojnë se këto transaksione kanë për ndërmjetës shtetas serbë e destinacioni herë është Libia e herë Irani”. Ai citoi raporte të OKB, sipas të cilave Shqipëria përveç marrëdhënieve tregtare për armët, ka dhe marrëveshje për dërgimin e parave në zonat e nxehta, si Jemen e Libi”.

Braçe tregoi gjithashtu dokumente ku dëshmohet se si Ministria e Mbrojtjes në vitin 2007 ka pasur nevojë për eksploziv C4, i cili u importua nga Irani.
Në fund të fjalës së tij, Braçe tha se “Marrëveshja që miratohet sot është një anë, por nuk u jep zgjidhje transaksioneve me shtetas malazezë e boshnjakë, që po përdorin Shqipërinë për të furnizuar diktatorët e Lindjes”.

Në vijim, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, në përgjigjen e tij ndaj Braçes tha se sot diskutohet për marrëveshjen dhe jo për të shkuarën.

 

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here