HYRJE Aktualitet Burg për të korruptuarit, zbardhen rekomandimet e Qeverisë për Arta Markun

Burg për të korruptuarit, zbardhen rekomandimet e Qeverisë për Arta Markun

0
604

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, zhvilloi ditën e djeshme një takim me Prokuroren e Përgjithshme, Arta Marku, ku i përcolli rekomandimet e qeverisë për organin e akuzës për vitin 2018, miratuar me VKM në mars të këtij viti.

Dy shtyllat kryesore të rekomandimeve mbeten lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rekomandimet, të cilat janë botuar në Fletoren Zyrtare, përbëhen nga pesë shtylla kryesore: Pavarësia e prokurorit, hetimi i zyrtarëve të korruptuar, lufta ndaj krimit të organizuar, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.

Në një takim të zhvilluar në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme, Gjonaj ka renditur një sërë problematikash dhe shqetësimesh, për të cilat, sipas qeverisë, organi i Prokurorisë duhet të jetë më efektiv. “Lufta me tolerancë zero ndaj korrupsionit, sidomos korrupsionit në nivelet e larta dhe sekuestrimi e konfiskimi i të ardhurave me origjinë kriminale, apo pasurisë së pajustifikuar të vënë nga korrupsioni zyrtar, është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare, njëkohësisht edhe një nga kriteret që kushtëzon integrimin europian të vendit” u ka thënë Gjonaj prokurorëve, duke nënvizuar se ngritja e Prokurorisë së Posaçme do t’i japë një tjetër dimension mënyrës së hetimit dhe procedimit të këtyre veprave.

Sa i përket luftës ndaj krimit të organizuar, Gjonaj nënvizoi se ndëshkimi i ashpër penal ndaj grupeve dhe organizatave kriminale do të bënte të mundur përmbushjen e standardeve për integrimin europian. Duke folur për Reformën në Drejtësi si një objektiv kryesor i qeverisë, ministrja Gjonaj është ndalur edhe në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Largimi nga sistemi i prokurorëve të korruptuar, me lidhje me krimin apo të paaftë do të ndihmojë pjesën e shëndoshë të prokurorëve, që t’u vlerësohet përkushtimi dhe puna e palodhur në luftën kundër kriminalitetit”, ka thënë ministrja e Drejtësisë. Gjonaj është ndalur edhe në fenomenin e mbylljes së çështjeve penale nga prokurorët, duke theksuar: “Konstatohen mbyllje të çështjeve me vendime për mosfillim hetimi, në një kohë kur për të arritur në këtë konkluzion, rezulton se janë kryer një sërë veprimesh hetimore nga prokurori i çështjes. Kjo vendimmarrje është tërësisht e paligjshme”. Ministrja e Drejtësisë ka inkurajuar Prokurorët për të kryer detyrën e tyre me përkushtim dhe ndershmëri, në zbatim dhe vetëm për zbatim të ligjit.

PRIORITETET

Ndër prioritetet e rekomandimeve të vendosura nga qeveria drejtuar Prokurorisë, si më të rëndësishme shihen hetimi i zyrtarëve të korruptuar dhe lufta ndaj krimit të organizuar. Për të parën, qeveria rekomandon që nga Prokuroria të ketë më shumë hetime proaktive dhe me teknika speciale. Gjithashtu, kërkohen edhe thellime në hetimet pasurore, që të rritet numri i aseteve të sekuestruara në fazat e para të hetimit.

Qeveria kërkon nga Prokuroria që të bashkëpunojë me agjencitë e huaja ligjzbatuese, sa u përket hetimeve pasurore. Qeveria porosit Prokurorinë që të rrisë edhe cilësinë e hetimeve, në mënyrë që personat që dërgohen për gjykim, të mos kenë mundësi t’i shmangen asaj. Vlen për t’u theksuar edhe rekomandimi për masat e sigurisë ndaj zyrtarëve të korruptuar.

Qeveria kërkon nga Prokuroria që të ashpërsojë kërkesat për masa sigurimi ndaj zyrtarëve publikë të akuzuar për korrupsion. Kjo do të thotë që të ketë më shumë kërkesa për masa arresti me burg, sesa detyrim paraqitjeje apo arrest shtëpiak. Në të njëjtën linjë janë edhe rekomandimet për luftën ndaj krimit të organizuar, ku kërkohen hetime të shpejta dhe gjithëpërfshirëse dhe masa më të rrepta shtrënguese, shkruan Panorama.

DISA NGA REKOMANDIMET KRYESORE

HETIMI I ZYRTARËVE TË KORRUPTUAR

1-Rritje të hetimeve proaktive dhe teknikave speciale të hetimit;

2-Kryerja e hetimeve sistematike pasurore dhe rritje e numrit të aseteve të sekuestruara që prej fazës fillestare të hetimit dhe konfiskimin e tyre në përfundim;

3- Hetime të shpejta dhe bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese;

4- Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, sidomos për kryerjen e hetimeve pasurore financiare, që lidhen me veprat penale të korrupsionit;

5- Përmirësimi i cilësisë së hetimeve të kryera me qëllim rritjen jo vetëm të personave të dërguar për gjykim, por edhe rritje të personave të dënuar me vendim të formës së prerë;

6-Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit;

HETIMI I KRIMIT TË ORGANIZUAR

1-Forcim të bashkëpunimit me Policinë Gjyqësore dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, me qëllim shkëmbimin e informacionit, kryerjen e analizave dhe vlerësimeve të përbashkëta, me qëllim rritjen e efektivitetit të hetimeve ndaj grupeve të strukturuara kriminale;

2-Hetime sistematike pasurore dhe rritje të numrit të aseteve të konfiskuara, në zbatim të ligjit 10192/2009, ndryshuar me ligjin 70/ 2017, specifikisht në drejtim të masave parandaluese;

3- Rritje të numrit dhe cilësisë së hetimeve për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe atë të pastrimit të parave, në funksion të rritjes së numrit të çështjeve dhe të pandehurve të dërguar për gjykim;

4-Rritjen e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese rajonale dhe ndërkombëtare në funksion të efektivitetit të hetimeve për grupet e strukturuara kriminale, që lidhen sidomos me trafikimin e narkotikëve, pastrimit të parave, financimin e terrorizmit, trafikimin e qenieve njerëzore, në rastet e emigrimit, veçanërisht për kategori vulnerabil, si azilkërkuesit dhe personat e mitur të pashoqëruar;

5- Rritje të numrit dhe të cilësisë së hetimeve, duke përdorur teknikat speciale të hetimit;

6- Ashpërsim të politikës penale në drejtim të masave të sigurimit dhe atyre të dënimit;

7-Forcim të kapaciteteve profesionale të prokurorëve, por edhe të oficerëve të Policisë Gjyqësore;

8- Rritja e aksesit dhe e përdorimit të të dhënave në databazat shtetërore, në funksion të shpejtësisë dhe efektivitetit të së hetimeve;

9- Rritjen e cilësisë së mbajtjes dhe raportimit të të dhënave statistikore, duke rritur profesionalizmin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit;

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here