Home Aktualitet Bleona Mata: Hetuesit serish ne Zapod

Bleona Mata: Hetuesit serish ne Zapod

766
0

Ekspertë të Krimeve të Rënda janë ngjitur sërish në fshatin e thellë Zapod të Kukësit për të vijuar hetimet për gjetjen e Bleona Matës. Kur është mbushur një muaj nga zhdukja e papritur e 6-vjeçares, në rrethana tepër misterioze, grupi hetimor ka kërkuar marrjen në pyetje të personave të fundit që janë takuar me të. Burime nga organi hetimor bëjnë të ditur se janë ripyetur sërish prindërit e Bleonës, të cilët vazhdimisht kanë shfaqur dyshime për implikim ose dijeni të 5 vajzave të rritura, të cilat ishin ditën e 22 majit në kullotë me të miturën. Veç prindërve është marrë në pyetje edhe grupi i vajzave, mes tyre dhe halla e Bleonës, të cilat kanë parë në minutat e fundit para zhdukjes 6-vjeçaren. Marrja në pyetje mësohet se është bërë në orët e natës, që nga mbërritja mbrëmjen e së martës të hetuesve në Kukës, e deri në mëngjesin e djeshëm. Nuk jepen detaje rreth këtij procesi dëshmish, por ajo që mësohet është se sërish disa nga vajzat e shoqëruara mendohet se do të jenë në fokus të hetimeve të mëtejshme. Prindërit e Bleonës vazhdimisht kanë shfaqur dyshime për vajzat e rritura, për vetë faktin se ato janë të fundit që e kanë parë 6-vjeçaren. Më parë janë marrë në pyetje dhe të afërm të nënës së Bleonës, por më pas janë lënë të lirë për mungesë provash që të bëjnë implikimin e tyre. Numri total i të pyeturve i ka kaluar 40 vetë. Pista e rrëmbimit për motive që ende nuk dihen mbetet kryesorja e hetimit. Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion të informatorit të vendndodhjes së Bleonës 3 milionë lekë të reja, ndërsa vetë familja ka garantuar se personi që e mban peng atë nuk do të cenohet aspak, vetëm të lërë vajzën e lirë. Bleona Mata rezulton e zhdukur prej pasdites së 22 majit 2010. Ajo ndodhej bashkë me hallën dhe 4 të afërme të saj në kullotë, 500 metra mbi shtëpinë e saj në Zapod. Hetuesit dyshojnë se të rejat kanë dijeni mbi fatin e Bleonës, por ato fshehin diçka për arsye që deri tani nuk dihen. Vetë kryefamiljari ka pohuar se ai nuk ka pasur konflikt me njeri dhe gjatë këtyre ditëve të zhdukjes së të bijës, askush nuk i ka bërë presion apo t’i kërkojë para për lëshimin e saj. I vetmi dyshim i hetuesve mbetet ai që vajza e vogël të ketë qenë dëshmitare e një skene, të cilën grupi i të rriturave nuk e bën të njohur. Telefonatat e tyre janë këqyrur nga ana e grupit hetimor, por nuk ka akoma fakt që të shpien tek rrëmbyesit e Bleonës. Fati i së miturës mbetet akoma mister, ndërsa ka tronditur mbarë opinionin, pasi ajo u zhduk në mes të ditës e në një zonë ku njerëzit e njohin mjaft mirë njëri-tjetrin dhe ku nuk ka ndodhur kurrë më parë një precedent i tillë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here