Home Sociale Berat, Kodheli i jep dhurata fëmijëve të ushtarakëve

Berat, Kodheli i jep dhurata fëmijëve të ushtarakëve

627
0

kodheliMinistrja e Mbrojtjes, znj Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, generalmajor Jeronim Bazo dhe komandanti i Forcës Tokësore, gjeneralmajor Zyber Dushku, ishte sot në Batalionin e Këmbsorisë në Poshnje, Berat. Kjo vizitë e ministres Kodheli zhvillohet në kuadër të një turi që ajo ka ndërmarrë këto ditë të fundvitit për të takuar dhe uruar efektivat e njësive dhe reparteve të FA, si dhe fëmijët e tyre për festat Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri.

Ministrja Kodheli u prit nga komandanti i batalionit, nënkolonel Gëzim Marku dhe u takua me efektivin e këtij reparti dhe fëmijët e tyre, të cilët kishin mbushur plot një nga sallat e batalionit. Me këtë rast nga fëmijët u dha një koncert i shkurtër artistik me këngë, valle, recitime etj, duke krijuar një atmosferë të vërtetë festive.

Ministrja Kodheli, duke përshëndetur fëmijët dhe ushtarakët e pranishëm, u shpreh: “Është hera e parë që këtu vjen ministri i Mbrojtjes për të ndarë me ju gëzimin e festave të fundivitit. Pa dyshim fakti që unë jam nënë e bën më të ndjeshëm raportin tim personal me fëmijët e të gjithë ushtarakëve të FA të Republikës së Shqipërisë, jo se baballarët nuk janë të tillë, por nënat e shprehin më shumë këtë ndjeshmëri, duke qenë më pranë fëmijëve, ndaj unë ju siguroj që në vullnetin tim të hekurt do të vazhdoj të mbetem pranë fëmijëve, që pa as më të voglin dyshim janë e ardhmja e vendit. Përkujdesja që i duhet kushtuar fëmijëve, ka vijuar më tej znj. Kodheli, qofshin këto të ushtarakëve apo civilëve brenda FA, apo përkujdesja që i duhet kushtuar fëmijëve kudo që janë në të gjitha trevat shqiptare, është një investim të cilin ne asnjëherë dhe në asnjë rast nuk duhet ta neglizhojmë. Është investimi, sakrifica, mundi që ne bëjmë sot jo vetëm për të rritur fëmijë të mirë, të shëndetshëm, të edukuar, të dashur për familjen, për prindërit për ambjentin ku jetojnë, për atdheun, por edhe një shpresë më shumë se Shqipëria nesër, Shqipëria e gjenereatës tjetër do të jetë një vend më i mirë për të gjithë ne.

Më pas, duke iu drejtuar ushtarakëve të këtij batalioni, ministrja Kodheli theksoi se, ju jeni herojnj të heshtur, heronjtë e çdo dite në shërbim të atdheut, të kombit, të komunitetit. FA sot nuk kanë nevojë për super njerëz, as për superheroj, kanë nevojë për dedikimin tuaj të përditshëm, për pasionin tuaj të përditshëm, për punën, mundin, sakrificën tuaj të përditshme për ta bërë vendin më të sigurtë, ndaj ju të gjithë jeni pjesë e këtij heroizmi, ndaj mesazhi që dua të përçoj është një dhe i vetëm: Vazhdoni të punoni në këtë rrugë të drejtë dhe të ndershme të sakrificës dhe të mundit, sepse këtë e bëni për atdheun tuaj, për fëmijët tuaj dhe për të ardhmen tuaj. Gëzuar edhe për shumë vjet festat e fundvitit!

Në fund, ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe gjeneralmajor Bazo shpërndanë dhurata për Vitin e Ri për 170 fëmijët e ushtarakëve të këtij batalioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here