Home Mustafa Nano Basha e Alfano: Fate e karriera që kryqëzohen

Basha e Alfano: Fate e karriera që kryqëzohen

717
0

basha-kPolitikani italian Angelino Alfano ka një karrierë të ngjashme me atë të Lulzim Bashës sonë. Të dy janë beniaminë të dy zotërinjve ‘B’, Berlusconit e Berishës. Që të dy janë të rinj, ambiciozë, me pamje të hijshme, me formim juridik, të sjellshëm; janë besnikë e dinë të binden, karrierën e deritashme e kanë pasur dhuratë. Dhuratë kanë pasur dhe postin e kreut të partive të tyre, Basha të Partisë Demokratike dhe Alfano të Partisë së Lirisë. Dhe mbi të dy rri një si shpatë e Damokleut, e varur në një fije të hollë, që në rastin konkret nuk është gjë tjetër, veçse natyra tekanjoze e krijuesve të tyre.

Duhet të jetë torturuese të jetosh gjithë kohën nën një shpatë të Damokleut. Dhe duhet të jetë bash për këtë që Alfano nuk duroi dot dhe i iku kësaj situate. U rebelua ndaj krijuesit. Në momentin që Berlusconi bëri një provë tjetër force, me anë të së cilës do nëpërkëmbte e çderonte (moralisht e politikisht) edhe vetë Alfanon, në momentin pra që ai, duke mos u konsultuar me askënd, më saktë duke u konsultuar veç me hallet që e kanë zënë, urdhëroi largimin e ministrave të vet nga qeveria, alter ego-ja italiane e Bashës ngriti zërin dhe tha: “Jo, e gjithë kjo nuk ka kuptim; ne jetojmë me hallet e Berlusconit, por ato nuk ka pse të jenë hall për gjithë Italinë”. Ish Berlusconi ai që u dorëzua, dhe pas kësaj gjasat janë që Alfano të marrë në dorë krejt partinë. Jo duke i ardhur sipas midesë Berlusconit, por duke e sfiduar atë.

Kjo është rruga dhe për Bashën, nëse don të bëhet udhëheqës de facto i PD-së. Vetëm se kam frikë që Basha nuk mund të bëhet Alfano, së pari ngaqë nuk ka dinjitetin e këtij të dytit (që nuk është shquar për ndonjë dinjitet kushedi se çfarë, megjithatë), dhe së dyti ngaqë nuk i ka duart e lira për të vepruar. Alfano e ka mbështetur padronin, por nuk ka marrë pjesë në prapësitë e tij. Ndërsa me Bashën puna është ndryshe. Për fat të keq.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here