Home Opinione Armand Shkullaku: Kosova kushtëzon Serbinë

Armand Shkullaku: Kosova kushtëzon Serbinë

695
0

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shpalli zyrtarisht në mes të Beogradit kushtëzimin e këtij të fundit me Kosovën në rrugën e integrimit për në BE. Sipas asaj që tha Merkel, që pa dyshim do të jetë edhe qëndrim i qartë i Brukselit, Serbia nuk mund të marrë statusin e vendit kandidat për në BE nëse nuk largon strukturat paralele nga Veriu i Kosovës, nëse pengon EULEX-in të shtrijë autoritetin atje dhe nëse nuk arrin sa më parë rezultate konkrete në dialogun me Prishtinën. Ky qëndrim, i befasishëm për formën e tij të prerë, e ka lënë pa fjalë Presidentin Tadiç. Kushtëzimi i Merkelit e ka zhvlerësuar dorëzimin e dy kriminelëve të fundit serbë të luftës, si dhe përpjekjet e Serbisë për t’u dukur konstruktive në fjalë, por pa prodhuar asgjë konkrete në terren, duke e sjellë atë përballë ndeshjes me murin e fortë të çështjes së Kosovës. Më mirë të zgjidhet sot kjo çështje, ka thënë Merkel, se sa në fund të procesit të integrimit. Qeveria serbe, disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, gjendet tashmë e kushtëzuar qartë se nëse dëshiron të ndjekë kursin e integrimit europian, duhet të pranojë de facto realitetin e ri në Kosovë.
Ky kushtëzim i ka eliminuar tashmë ato hije dyshimi sipas të cilave, duke marrë pjesë në dialog, Kosova do t’ia lehtësonte rrugën e integrimit Serbisë për në BE. Duke e konsideruar Prishtinën si të pafuqishme për të vendosur kushte në këtë dialog, një pjesë e opinionit me të drejtë ka ndjerë rrezikun se Beogradi mund ta kapërcente pengesën e tij më të madhe në afrimin me BE-në dhe se Brukseli mund të toleronte gjendjen në terren dhe t’ia jepte në fund të vitit statusin e vendit kandidat. Në fakt, qëndrimi i Angela Merkelit ka dëshmuar të kundërtën dhe ka vërtetuar se vendimi i Prishtinës për t’u ulur në tryezën e dialogut me Beogradin ka qenë një zgjidhje e mirë.
Duke pranuar sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë për të marrë pjesë në dialog dhe madje duke bërë lëshime me kosto politike të brendshme, qeveria e Kosovës ka dëshmuar se në këtë çështje mbetet konstruktive. E shikuar nga një pjesë e opozitës si një lloj servilizmi i Kryeministrit Thaçi për hir të mbajtjes së pushtetit, kjo qasje ndaj dialogut me Beogradin po rezulton efektive. Delegacioni kosovar, me gjithë kritikat e forta të opozitës dhe një pjese të opinionit publik, nuk ka shfaqur tendenca agresive në dialog dhe madje ka pranuar që për disa çështje të bëjë hapa pas në raport me dialoguesit serbë. Ky qëndrim ka provokuar mjaft akuza, kryesisht nga “Vetëvendosja”, se qeveria e Kosovës po bën pazar me interesat e vendit për hir të mbajtjes së pushtetit. Por, në thelb, edhe këto akuza të opozitës, edhe kritikat apo dyshimet e opinionit publik, kanë shërbyer pozitivisht për të treguar se pavarësisht kostove të larta politike, qeveria e Kosovës ka qenë e vendosur për t’iu përmbajtur angazhimeve ndërkombëtare. Dhe kjo ka bërë kontrastin e madh me qëndrimin e delegacionit serb, i cili ka qenë më vulnerabël ndaj presionit të brendshëm politik dhe nuk ka shfaqur konstruktivitetin e pritshëm në dialog. Madje, shtyrja e dialogut ka qenë qartësisht hezitim i palës serbe për të shkuar më tutje me marrëveshjet me delegacionin kosovar. Për këtë arsye, kancelarja Merkel e cilësoi si kusht për Serbinë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, arritjen e rezultateve konkrete në bisedimet e Brukselit. Në këtë proces, Prishtina mund të ndihet në avantazh përballë Beogradit. Lëshimet tashmë priten prej këtij të fundit dhe jo si premtime pa afat, por si kusht për marrjen e statusit në fund të vitit.
Efektiviteti i pjesëmarrjes konstruktive në dialogun e Brukselit ndoshta nuk do të kishte qenë i plotë nëse qeveria e Kosovës nuk do të vendoste më në fund të vepronte në Veri të vendit. Kombinimi i politikës konstruktive me atë të veprimit të fortë brenda ligjeve, mund t’i vërë gjërat më shpejt në lëvizje. Një demonstrim i arsyeshëm i muskujve kur e drejta qëndron në këtë anë, ishte pikërisht ajo që i kish munguar politikës tepër të kujdesshme të Thaçit ndaj ndërkombëtarëve. Ngjarjet në Veri pa dyshim që kanë përshpejtuar veprimin dhe qëndrimin europian në raport me Beogradin. Kritikat e Thaçit ndaj EULEX-it (larg natyrës së tij) dhe lodhja e qytetarëve me pafuqinë e këtij misioni, kanë qenë sinjale të qarta për të vepruar më shpejt dhe më me vendosmëri. Vetë Kryeministri deklaroi në Kuvend se pas 25 korrikut mbështetja europiane është më e qartë dhe unike. Nga ana tjetër, ajo që ndodhi në pikat kufitare pas 25 korrikut si dhe sjellja e Beogradit zyrtar, dëshmuan për qëndrimin e dyfishtë dhe mungesën e sinqeritetit të palës serbe në angazhimet e saj kundrejt BE-së. Edhe për këtë arsye, fytyra e kancelares gjermane ishte e ftohtë dhe e rreptë kur i tha Tadiçit se strukturat paralele janë pengesë për atë vetë në rrugën drejt BE-së.
Kushtet që duhet të plotësojë tani Serbia për të marrë statusin e vendit kandidat i japin Kosovës një prioritet në bisedimet e ardhshme. Por, mbi të gjitha, ato vërtetuan edhe njëherë se politika konstruktive dhe veprimet e guximshme mbeten mënyra më e mirë për të qenë gjithnjë në anën e duhur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here