Home Sport Argjentina kualifikohet me vuajtje perballe Zvicres

Argjentina kualifikohet me vuajtje perballe Zvicres

543
0

messi-di-mariaÇështje centimetrash: atyre pak që janë mes topit të gjuajtur nga Di Maria, i cili kalon dorezat e të pakalueshmit deri në atë moment, Benalio, dhe atyre pak që janë mes shtyllës së goditur nga Xhemaili dhe portës së mbrojtur nga Romero. Gjithçka në 3 minuta, gjithçka në 3 minutat e fundit të shtesës së shtesës. Argjentina falënderon zotin e topit dhe pret edhe ajo biletën në çerekfinalet e Botërorit pasi mundi Zvicrën 1-0 në fund të 120 minutave, 5 të fundit të të cilave ishin me të vërtetë drithëruese. Në fund, helvetët duhet të dorëzohen, por jo vetëm ndaj forcës së një kundërshtari teknikisht superior, por edhe prej mungesës së fatit për atë top të mesfushorit të Napolit që u ngul në shtyllë ende pa përfunduar festa e amerikano-jugorëve.

ARGJENTINE-ZVICER 1:0
Golat: Di Maria 118′
ARGJENTINA: S.Romero, P.Zabaleta, E.Garay, F.Fernández, M.Rojo (J.Basanta 106′), J.Mascherano, F.Gago (L.Biglia 106′), Á.di María, L.Messi, G.Higuaín, E.Lavezzi (R.Palassio 74′). Trajner: A.Sabella
ZVICRA: D.Benaglio, J.Djourou, S.Lichtsteiner, R.Rodriguez, F.Schär, V.Behrami, G.İnler, Xh.Shaqiri, G.Xhaka (G.Fernandes 66′), A.Mehmedi (B.Dzemaili 113′), J.Drmic (H.Seferović 82′). Trajner: O.Hitzfeld
Gjyqtare: J.Eriksson, M.Klasenius, D.Wärnmark
Kartonë të verdhë: Rojo 90′, Garay 120+3′ / Xhaka 36′, Fernandes 73′

I shpëton Romero
Është Botërori i skuadrave të vogla që luajnë pa frikë dhe me kurajë, dhe i të mëdhave që vuajnë. Kështu, pas Brazilit, Holandës, Francës dhe Gjermanisë është radha e Argjentinës për të vuajtur. Kjo Zvicër, ashtu si ajo e paraardhësve të saj (2-2 historik me Brazilin në Botërorin e 1950- s) lufton për çdo top me mish e me shpirt (duke i lënë ndonjë kafshim herë pas here këmbëve të Mesit dhe Di Marias) dhe dublon rivalët sa herë topi kalon 30 metrat e fundit të fushës. E shkëlqyer puna në mbrojtje e Inlerit dhe Behramit që u japin mundësinë fantazistëve të nisen në kundërsulm. Në këtë mënyrë, edhe rastet më të mira në pjesën e parë i kanë europianët: Romero fillimisht duhet të shpëtojë një të djathtë të Xhakës, pastaj e rigjen topin në duar kur Drmiç, i nisur nga Shaqiri, vendos të bëjë një parabël në hyrje të zonës, por që përfundon me një psherëtimë lehtësimi të Mesit me shokë.

Benalio ngre murin
Sabeja, i cili e di që kjo nuk është Argjentina e tij, në pushim u kërkon të tijve të ndryshojnë marshin. Dhe kështu ndodh. Mesi merr për dore ekipin dhe bashkë me kapitenin zgjohen edhe Di Maria e Roho. Luhet me një portë dhe Benalio duhet të presë topat që i vijnë nga të katër anët. Pas një gafe të Romeros, pas një goditje të Shaqirit, statusin e superheroit e merr portieri i Volfsburgut. Fillimisht shpëton një të majtë të hidhur nga brenda zone të Rohos, pastaj fluturon për të devijuar në këndore një gjuajtje me kokë të Higuainit. E në fund dopio- ndërhyrja në tentativën e Mesit dhe Palasios. Dhe në fund, edhe bardhekaltrit respektojnë “traditën” e Brazilit dhe Gjermanisë: shtesën.

Di Maria dhe fati
Argentina vs SwitzerlandPjesa e parë e shtesës kalon pa ndonjë rast për t’u shënuar. Duket sikur Argjentina bën Zvicrën dhe Zvicra Argjentinën. Zvicra qarkullon topin dhe rrëmben edhe “ole”-të e tifozëve të shtëpisë, që si ultras të Korinthiansit vërshëllejnë Argjentinën, sepse këtu adhurohet beniamini që mungon, Tevez. Benalio fluturon pas një të majte të Di Marias. Sfida mes tyre përsëritet edhe disa minuta më vonë, por për mbrojtësin ekstrem kësaj radhe nuk ka lavdi. Mesi tërheq Zvicrën në spritin e tij dehës përpara syve të të birit, Tiago, shërben për Di Marian, dhe e djathta milimetrike e sulmuesit të Realit përfundon në rrjetë. Nuk janë shënuar ende brohoritjet e popullit “albiceleste”, por djemtë e Hicfeld nuk dorëzohen. Në shtesë, topi i Xhemailit, i goditur me kokë pas kryeveprës së Shaqirit, ndalet në shtyllë me Romeron e dorëzuar. Shaqiri ka shansin e fundit me një goditje nga 20 metra dënimi. Por nuk është momenti i tij për të hyrë në histori me topin që përplaset në barrierë. Argjentina e fortë, por edhe me fat pret biletën në Brazilia.

Argjentina
ROMERO 6 – Le ta themi troç: Zvicra nuk shkoi asnjëherë si duhet te porta e tij. Dy raste ishin: ai i Drmiçit, që vetëm një i çmendur mund ta humbte, dhe shtylla e Xhemailit në minutën 119. Një portier me fat.
ZABALETA 6 – Një Botëror jo për t’u mbajtur mend deri tani nga anësori i djathtë argjentinas. Është shumë larg asaj që ka treguar te Siti sezonin që shkoi.
FERNANDEZ 5,5 – Siguria dhe qetësia nuk kanë lidhje fare me këtë lojtar. Është gjithë kohën i tensionuar, por për fat të mirë nuk iu desh që të vuante kushedi se çfarë me sulmuesit zviceranë. Kjo mbulon edhe cenet e tij.
GARAJ 6,5 – Është ai që udhëheq mbrojtjen. Lejon pak hapësira dhe mbulon gabimet e të tjerëve. Ndeshje shumë e mirë. ROHO 6 – Shtyn shumë në krahun e tij, por asnjë pasim apo kros për të qenë.
MASKERANO 6,5 – Shefi. Argjentina luan një futboll të shëmtuar, por ai në mesfushë ka për detyrë të mbajë kështjellën të paprekur dhe e bën këtë. Tamam shefi.
GAGO 5 – Duhej të ishte njeriu që të vinte në lëvizje mekanizmat e tjerë, por ashtu si dhe shokët e tij e mban topin pafundësisht.
DI MARIA 7 – Deri në minutën e 70-të ky djaloshi kishte humbur 26 topa. Poooo 26 topa dhe kjo duket qesharake, kur thua më pas se luan te Reali. Ishte një ndeshje e errët për të, por ja që në minutën e 118-të bëri gjuajtjen e duhur dhe u shndërrua në heroin e ndeshjes.
MESI 8 – Një njeri i vetëm në timon. Për 90 minuta përpiqet të shpikë diçka në një shkretëtirë me emrin Argjentina. Asnjë nuk lëviz, zero ide dhe të gjithë e vonojnë topin. Më pas, dy minuta larg fundit vjen ai shpërthim gjenial dhe megjithëse Shari tentoi ta ndalte me çdo kusht, ai ia del t’i pasojë Di Marias. Argjentina është Mesi dhe pikë.
HIGUAIN 4,5 – Për pak sa nuk e prishi edhe gjuajtjen vendimtare të Di Marias, që më pas t’i vinte vulën një ndeshjeje për t’u harruar. Në fakt, një Botëror për t’u harruar…
LAVECI 5 – E mbylli pjesën e parë pa kryer asnjë pasim të saktë. Në të dytën nuk është më mirë. Thjesht i humbur në fushë. (Nga 74′ PALASIO 6 – Pak më mirë se Laveci dhe Higuain, por tek Argjentina të zhgënjejnë të gjithë. Kalon klasën vetëm se di të sakrifikojë më shumë).
Trajneri Sabeja 5 – E keni parasysh Avram Grantin kur humbi finalen me Çelsin kundër Mançester Junajtid? Shpatullat i ishin varur aq shumë saqë dukej si një burrë i mbaruar. I tillë ishte edhe Sabeja deri te goli i Di Marias. Por për faj të tij, sepse ka ndërtuar, nëse mund të quhet “ndërtim”, një skuadër që luan shëmtuar dhe rrezikon shumë.

ZVICRA
BENALIO 6,5 – Bën disa pritje dhe disa shpëtime në zonë që janë fantastike. Ndeshje shumë pozitive.
LIHTSHTAJNER 6 – Laveci nuk e shqetëson thuajse fare. Palasio gjithashtu, por gjithsesi ai e bën mirë detyrën. Deri sa humb topin prej nga erdhi goli i Argjentinës…
XHURU 7 – Ishte një ndër më të mirët në fazën e grupeve dhe dje ishte akoma më brilant. Thjesht i shkëlqyer. Më i miri për Zvicrën.
SHER 6 – Do të mbahet mend gjatë që, përveçse u përpoq t’ia merrte topin Mesit në 120 minuta, në disa raste ndërhynte aq fort sa dukej sikur donte t’i merrte edhe jetën. Taktikisht perfekt dhe një zgjedhje e mirë e Hicfeldit kundër “Pleshtit”.
RODRIGEZ 7 – I bukur dueli me Di Marian. Për 70 minuta e fitoi duelin pa as më të voglin dyshim. Më pas pësoi rënie, por gjithsesi kjo ishte e kuptueshme pas gjithë atyre vrapimeve.
BEHRAMI 6,5 – Vrap, sparkata dhe shkelma. Vrap, sparkata dhe topa të fituar… Është monstruoz në mesfushë.
INLER 6 – Në vendosjen taktike është pak brilant, sepse edhe Zvicra i kërkon të mbrojë dhe jo të ndërtojë. Gjithsesi, sa i përket sakrificës në fushë, është i pakursyer.
SHAQIRI 7 – E vetmja pikë referimi në sulmin e Zvicrës që në fakt dje vetëm për sulmin nuk mendonte. Ia del mirë, madje shumë mirë!
XHAKA 5 – Të thuash që nuk ishte në ditën e tij më të mirë, do ishte eufemizëm. Po, sepse dje nuk i kërkonin fantazi, por të markonte sa më mirë dhe ai nuk është i asaj natyre. (Nga 66′ FERNANDES 6 – Hyri dhe sapo kaluan dy minuta mori të verdhë. Ja kjo ishte detyra e tij).
MEHMEDI 6,5 – Tmerrësisht i fortë, por i duhet që të mbrojë më shumë se sa të sulmojë. Sapo del ai Zvicra tkurret shumë. (Nga 113′ XHEMAILI 5 – shtatë minuta pasi ishte futur në fushë i vjen në kokë një top historik: gjuan dhe e përplas në shtyllë. I pafat? Pa dyshim. Mund të bënte më mirë? Absolutisht po!
DRMIÇ 4 – Ndonjëherë mjafton pak për të hedhur në erë gjithçka. Edhe Dërmiç dje shpërdoroi pasimin e karrierës. I vetëm përballë Romeros bëri një gjuajte mediokre. (Nga 82′ SEFEROVIÇ 6 – Hyn dhe ashtu si e gjithë skuadra lufton më shumë për mbrojtjen se sa për sulmin.
Trajneri Hicfeld 6,5 – Vetëm gjeneralët si ai mund të qëndrojnë në këmbë pas dy dhimbjeve aq të mëdha. Pak orë më parë kishte humbur vëllanë e tij më të madh. Ndërkohë që dje pa t’i sfumohej ëndrra për të nxjerrë Mesin jashtë vetëm 2 minuta para përfundimit. Zvicër e shkëlqyer, për meritë të tij.

Rekordet e Mesit dhe Di Marias

– Angel Di Maria shënoi në goditjen e tij të 11-të të ndeshjes. Më shumë se sulmuesi i Realit në ndeshjen me Zvicrën, nuk kishte tentuar asnjë lojtar argjentinas në një ndeshje të Kupës së Botës që prej Botërorit të Anglisë 1966. Di Maria vendosi një tjetër rekord tjetër që prej 1966-s: Asnjë lojtar argjentinas nuk ka dhënë më shumë krosime (përfshirë goditjet e këndit) në një ndeshje Botërori më shumë sesa 26-vjeçari (16).
– Pesë nga tetë ndeshjet e 1/ 8-ve kanë shkuar me shtesë këtë Botëror, diçka që nuk ndodhte prej Kupës së Botës “Itali 1990″: Brazil-Kili, Kosta Rika-Greqi, Gjermani-Algjeri dhe Argjentinë-Zvicër.
– Argjentinës duket se i sjell fat shtesa. Ata janë kualifikuar në 5 nga 6 ndeshjet e tyre që kanë shkuar me shtesë në Kupën e Botës.
– Xherdan Shaqiri është përfshirë direkt në 7 nga 8 goditjet e Zvicrës në portën e Argjentinës: 2 gjuajtje dhe 5 asiste. Vendimtar!
– Lionel Mesi është lojtari i parë i Argjentinës, i cili jep një asist në kohën shtesë të një Botërori që prej Kempesit (1978 kundër Holandës).
– Pasi dështoi të shënonte në 7 ndeshje radhazi në Botëror, Leo Mesi duket se e ka thyer tersin në Brazil. Pavarësisht se dje dha vetëm asist, kapiteni i Argjentinës ka shënuar 4 gola në 4 ndeshjet e para.
– Zvicra është eliminuar gjithnjë në raundin e 1/8-ave të një Botërori. Në “SHBA 1994″ i eliminoi Spanja, në “Gjermani 2006″ Ukraina dhe në “Brazil 2014″, Argjentina.
– Ky ishte dueli i 7-të mes Zvicrës dhe Argjentinës në histori. Amerikano-jugorët nuk janë mundur asnjëherë (4 fitore dhe 3 barazime). – Zero ishte numri i kombinimeve mes Ezekiel Laveci-Lionel Mesi dhe Angel Di Maria-Gonzalo Higuain në pjesën e parë kundër Zvicrës. Të izoluar!
– Argjentina është eliminuar vetëm 1 herë në 6 prezencat në 1/8-at e Kupës së Botës (kundër Rumanisë në 1994-n).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here