Home Ekonomi Anketa Tremujore e Forcave të Punës; Tremujori I 2017

Anketa Tremujore e Forcave të Punës; Tremujori I 2017

1036
0

Në tremujorin e parë 2017, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 56,3 %. Gjatë këtij tremujori, në terma vjetorë punësimi shfaq tendencë në rritje: krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, punësimi u rrit me 3,5 %. Ndërsa në terma tremujorë, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, punësimi pësoi një rritje të lehtë prej 0,2 %. Në tremujorin e parë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 14,2 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 2,4 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë nuk ka ndryshuar krahasuar me tremujorin e katërt 2016. Në tremujorin e parë të vitit 2017, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 65,9 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës mbetet në të njëjtin nivel. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues është rritur me 0,2 pikë
përqindje.

Fig. 1 Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç, Tr. 3/14 – Tr. 1/17

Për femrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 56,6 %, ndërsa për meshkujt ky tregues është 75,0 %. Për meshkujt, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 18,4 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ka rënë me 1,6 pikë përqindje, ndërsa për meshkujt është rritur me 1,6 pikë përqindje. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 44,9 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e parë 2017, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 76,0 %.

Punësimi
Shkalla e punësimit për meshkujt është 62,9 %, ndërsa për femrat 49,5 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e punësimit për meshkujt është rritur me 2,5 pikë përqindje, ndërsa për femrat rritja është me 0,5 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 33,0 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e parë 2017, shkalla e punësimit është 67,5 %.

Fig. 2 Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç, Tr. 3/14 – Tr. 1/17

Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i parë i vitit 2016 në tremujorin e parë të vitit 2017, është 3,5 %. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është: 8,2 % në sektorin e shërbimeve dhe 3,0 % në sektorin e industrisë. Në sektorin e bujqësisë pati një rënie të punësimit prej 0,9 %.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e parë 2017, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart pësoi një rritje të lehtë prej 0,2 %. Punësimi u rrit në sektorin e shërbimeve me 3,0 %, ndërsa u ul me 1,7 % në aktivitetet bujqësore dhe me 2,2 % në sektorin e industrisë.

Fig. 3 Ritmi vjetor dhe tremujor i rritjes së punësimit, për popullsinë 15 vjeç e lart

Papunësia
Në tremujorin e parë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 14,2 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e papunësisë për meshkujt ka rënë me 1,8 pikë përqindje dhe për femrat ka rënë me 3,3 pikë përqindje.
Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 15,6 % dhe për femrat është 12,2 %. Shkalla e papunësisë për femrat është 3,4 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt.

Fig. 4 Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç, Tr. 3/14 – Tr. 1/17

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 26,6 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e parë të vitit 2017 është 3,8 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e katërt 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,5 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 11,2 %. Në terma vjetorë ky tregues pësoi një rënie prej 1,7 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë pati një rritje të shkallës së papunësisë me 0,6 pikë përqindje.

Popullsia ekonomikisht jo-aktive
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, 29,0 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 12,4 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 8,9 % në paaftësi të përhershme.
Gjatë tremujorit të parë 2017, 9,3 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme.

Fig. 5 Struktura e popullsisë ekonomikisht jo-aktive sipas gjinisë dhe statusit

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 73,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 6,5 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 12,5 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here