Home Kulture Anastacia performon ne Qemal Stafa, interesim i ulet nga publiku

Anastacia performon ne Qemal Stafa, interesim i ulet nga publiku

622
0

anastacia Mëkat që vetëm 1500 veta mundën të shijojnë koncertin live të këngëtares amerikane Anastacia. Koncerti është zhvilluar në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë, ku vetëm një pjesë e vogël e tij është shfrytëzuar për realizimin e këtij koncert.

Nuk dihet nëse në pjesëmarrjen e vogël të njerëzve ka ndikuar çmimi i biletës apo ndoshta jehona jo e madhe mediatike për ardhjen e saj, megjithatë Anastacia ka arritur që me vokalin dhe interpretimin e saj të argëtojë dhe pranishmit.

Nga mbi 7000 spektatorë që kishin parashikuar organizatorët si pjesëmarrës, nisur nga emri i këngëtares amerikane, por edhe i fansave të saj në Shqipëri, realisht të pranishëm ishin diku tek 1500.

Shifra e dobët e pjesëmarrjes e bën koncertin të dështuar. Kjo për faktin se një këngëtare me famë globale dhe me një repertor të shkëlqyer muzikor e me fansa në mbarë botën, kudo pritet në mënyrë madhështore, ndërsa vetëm në Shqipëri iu rezervua një atmosferë e vakët, si një aktivitet në nivel lokal. “Braktisja” e Anastacia-s në “Qemal Stafa”, është produkt i drejtpërdrejtë i marketingut të dobët që iu bë një aktiviteti jo të zakontë për vendin tonë.

anastacia1

Aq më tepër kur një yll i muzikës amerikane dhe me famë të jashtëzakonshme në mbarë botën, vjen për herë të parë në Shqipëri. Çfarë mungoi? Ishte fushata e dobët publicitare e qeverisë që i dha koncertit të Anastacias perspektivën e një koncerti dytësor.

Organizatorët e koncertit, “Living Room Entertainment” nuk kanë bërë fushatë të gjerë publicitare. Reklama televizive ka filluar e mbaruar në veçse një televizion që ishte sponsor dhe disa billborde nëpër Tiranë. Pjesa më e madhe është bërë në media sociale, ku nuk ka munguar edhe reklama e bërë në “Facebook” nga vetë kryeministri Edi Rama, por që duket qartë se nuk ka mjaftuar.

Vetë kryeministria si bashkorganizatore e koncertit ka ofruar pa pagesë stadiumin “Qemal Stafa”. Po ashtu në mbështetje të këtij evenimenti ka qenë dhe kompania T- Mobile. Çmimet e biletave nisën nga 10 euro, për të vazhduar me 15 euro, 20 euro dhe 40 euro për zonën VIP.

Duket qartë se ajo që mungoi në të gjithë këtë histori, ishte një politikë konkrete në marketingun që mund t’i bëhej një emri të madh të muzikës amerikane, që me siguri s’do e marrë mundimin më të vijë në Shqipëri.

Asnjë spot nuk u shpërnda në televizionet dhe gazetat e tregut shqiptar, duke e ulur nivelin dhe profilin e koncertit, por edhe të këngëtares që do të performonte. Një mundësi e artë për të promovuar Shqipërinë dhe shqiptarët tek një prej këngëtareve me më shumë fansa në SHBA, u humb për hiç gjë.

Këngëtarja e njohur e hiteve të suksesshme, si “Paid my Dues” apo “I’m Outta Love”, e njohur gjithashtu për adrenalinën dhe emocionet e gjalla që përcjell në koncertet e saj, erdhi në Shqipëri në vijim të turit të saj botëror “Resurrection”.

E çiltër, komunikuese dhe mjaft energjike këngëtarja arriti të përçojë energji pozitive tek publiku.

Gjithashtu ajo nuk la përmendur edhe luftën e saj kundër kancerit, sëmundje të cilën ajo e ka mundur dhe ka arritur të fitojë. Ky koncert ka ardhur edhe si një mesazh sensibilizues nga këngëtarja që njerëzit të jenë më të fortë ndaj vështirësive të jetës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here