Home Sociale AMA ndalon transmetimin e reklames me nje femije qe qesh

AMA ndalon transmetimin e reklames me nje femije qe qesh

923
0

reklama-vodafoneReklama e një kompanie të njohur telefonike, e transmetuar vazhdimisht në televizionet shqiptare prej 1 jave, ka sjellë reagimin e autoriteteve shtetërore që urdhërojnë ndërprerjen e transmetimit të saj. Shkak është bërë fakti se, në reklamën që shoqërohet me titrat: “Për të mos humbur asnjë buzëqeshje”, shfaqet një bebe që përdor “smartphone”, e madje, që është aq i varur, sa ka ndikim direkt tek humori i tij. D.m.th në video, sa herë që bllokohet shërbimi i internetit, fëmija qan dhe sa herë që linja funksionon normalisht, ai qesh. Nisja e transmetimit të kësaj reklame në televizionet shqiptare shkaktoi reagime në rrjetet sociale, ku u ndërmor edhe një peticion përmes të cilit kërkohej ndërprerja e saj.

Nismëtarët e peticionin argumentonin se reklama në fjalë inkurajon fëmijët të përdorin teknologjinë në një kohë që këta të fundit, sipas specialistëve, për të paktën 3 apo 4 vitet e para duhet të inkurajohen të kenë vetëm kontakte fizike me prindërit dhe mjedisin. Pas këtij peticioni dhe thirrjeve nga rrjetet sociale, Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka kërkuar operatorëve audiovizivë, ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit të reklamës së kompanisë së telefonisë celulare.

“Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka vizionuar transmetimin e reklamës të kompanisë së telefonisë celulare “Vodafone”, e cila shoqërohet me titrat: “Për të mos humbur asnjë buzëqeshje… Vodafon 3G.” AMA konstaton se reklama e kompanisë së telefonisë celulare “Vodafone”, ndikon drejtpërdrejt tek të miturit duke i nxitur ata që të kërkojnë të blejnë aparatin celular të kompanisë “Vodafone” me internetin 3G, që ofron kjo kompani. Një gjë e tillë bie në kundërshtim me nenin 42 pika 7 të ligjit dhe me pikën 8.4 të Kodit të Transmetimit.

Më konkretisht, ligji nr.97/2013 “ Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, neni 42 pika 7 “Komunikimet me natyrë tregtare”, përcakton se ato:”…nuk duhet të nxisin apo të shtyjnë të miturit të blejnë apo të marrin prodhime ose shërbime, duke i nxitur drejtpërsëdrejti për të kërkuar nga prindërit ose të tjerë persona të afërm t’u marrin mallrat apo shërbimet e reklamuara, ose të shfrytëzojnë pozitën e fëmijëve në raport me prindërit, mësuesit ose persona të tjerë të afërm të tyre.” Sa më sipër, AMA, kërkon ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit të reklamës së kompanisë së telefonisë celulare “Vodafone” me internet 3G ndersa thekson se në rast të kundërt do të vendosen sanksionet e parashikuara në ligj” thuhet në njoftimin e AMA-s.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here