Aksioni i droges ne Permet. Si u dekonspirua aksioni i policise

0
119

Aksioni që zbuloi më shumë se 11 tonë lëndë narkotike në ish-magazinat e rezervave të shtetit në Përmet, dyshohet se është dekonspiruar.

Mes të arrestuarve për ngjarjen e ndodhur më 7 prill 2017, nuk është asnjëri prej pronarëve të drogës dhe as kultivuesit e bimës narkotike.

Pavarësisht se kapja e sasisë rekord të bimës narkotike është bërë, siç u tha, nga informacione sekrete që kanë mbërritur në zyrat e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, duket se aksioni ka pasur rrjedhje informacioni.

Policia e Përmetit dhe ajo e Gjirokastrës duket se jo vetëm kanë qenë “jashtë loje” gjithë këta muaj, por në momentin kur kanë mësuar se po përgatitej aksioni i kontrollit në magazina, kanë njoftuar edhe organizatorët e këtij aktiviteti kriminal.

“Magazinat në fjalë ishin një zonë e ndaluar, jo vetëm për banorët e zonës që nuk janë lejuar të afrohen së paku në tre muajt e fundit, por duket se ashtu kanë qenë edhe për policinë”, tha një burim nga hetimi i çështjes. 

Ka dyshime se dekonspirimi i aksionit ka ndodhur në momentet e fundit, pa u dhënë kohë personave përgjegjës që të fshehin lëndën narkotike që kishin grumbulluar.

HETIMI

Pas zbulimit të kësaj sasie të madhe hashashi në Përmet, Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasit Rustem Muçelli, 51 vjeç, dhe Eqerem Ali, 60 vjeç, banues në fshatin Pagri, Përmet, ndërsa është shpallur në kërkim Ismail Saliu, 61 vjeç, banues në po atë fshat.

Asnjëri nga këtyre shtetasve nuk ka lidhje me kultivimin, as me grumbullimin e drogës, por arrestimi i tyre është bërë sepse kishin përdorur magazinat ku u gjet hashashi vitet e fundit. Për këtë ngjarje, nga Policia është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri, shtetasi Koço Zaimaj, 58 vjeç.

Ai akuzohet se nuk ka raportuar grumbullimin e sasisë së hashashit në magazinën ku u gjetën 11 tonë hashash. Pas gjetjes së drogës, është marrë vendim për shkarkimin e shefit të komisariatit të Përmetit bashkë me katër vartës, ndërsa ka nisur procedim edhe për drejtorin e Policisë së qarkut Gjirokastër, zv.drejtorin dhe shefin e sektorit të hetimit të trafiqeve.

Ky mosveprim i Policisë, në të paktën katër muajt e fundit gjatë të cilëve është grumbulluar droga, dyshohet se ka ardhur si pasojë e bashkëpunimit të individëve të veçantë të Policisë me grupin që ka kultivuar e grumbulluar sasinë e drogës në ish-magazinat e Rezervave të Shtetit në fshatin Pagri të Përmetit.

Aktiviteti kriminal mendohet se ka qenë i mororganizuar, ndërsa grupi i hetimit ka marrë dëshmi se magazina e lëndës narkotike ruhej nga persona të armatosur, që nuk lejonin afrimin aty të asnjë banori të zonës.

Dyshohet se në magazinën e kanabisit grumbullohej droga e prodhuar në krejt zonën dhe më pas, duke e ndarë në sasi më të vogla, trafikohej sipas kërkesave që grupi kriminal kishte nga blerësit e kanabisit.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here