Home Aktualitet Aksidenti Fushe Arrez, policia hedh dyshime te pagjumësia e shoferit

Aksidenti Fushe Arrez, policia hedh dyshime te pagjumësia e shoferit

1056
0

TIRANE – Ekspertë të Policisë Rrugore dhe hetues të prokurorisë kanë mbërritur dje menjëherë në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik i autobusit me 26 pasagjerë. Ata kanë nisur hetimin, duke rindërtuar skemën e ngjarjes, që prej momentit ku automjeti ndodhej në rrugë dhe deri te pozicioni në të cilin kishte mbetur autobusi i rënë, në krahun e djathtë pas pikiatës prej 30 metra lartësi. Në një deklaratë të policisë, shpërndarë dje në mbrëmje, thuhet se nga hetimet dhe nga kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit, ka rezultuar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, në momentin kur ka ndodhur aksidenti. Sipas policisë, lëvizja e autobusit në momentet e fundit kur ndodhej në rrugë është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar. Nga verifikimi ka rezultuar se drejtuesi i mjetit, Zef Gjergji, ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim. Policia ka bërë të ditur se e vetmja gjë që ka mbetur për t’u verifikuar nga shkaqet e mundshme të aksidentit është gjendja shëndetësore e shoferit të mjetit në momentin e aksidentit. Ai ishte nisur në orët e mëngjesit nga Puka dhe kishte mbërritur në Durrës rreth mesditës. Pasi ka grumbulluar pasagjerët, ka kryer nisjen anasjelltas nga Durrësi për në Pukë, në ora 13:30, çka dyshohet se ka ndikuar në lodhjen e tij, si pasojë e temperaturave të larta atmosferike. Disa dëshmitarë kanë hedhur dyshime dje se drejtuesi i autobusit mund të ketë qenë në gjendje lodhje ose përgjumje, në momentin kur ndodhi aksidenti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here