HYRJE ShowBiz Adi Krasta, arsyet qe u largua nga Top Channel

Adi Krasta, arsyet qe u largua nga Top Channel

0
148

Mungesa e Adi Krastës në programin e drejtpërdrejtë “100 milionë” në “Top Channel” të martën, natyrisht që ishte një skup televiziv në vetvete, që mund të ketë afruar para ekranit më shumë publik, për të kuptuar se ç’kishte ndodhur. E nuk bëhej fjalë për mungesë thjesht në një puntatë, po për një largim të Adi Krastës nga “Top Channel”. Pa dyshim që ky vendim për të lënë një sezon televiziv në mes që nuk ndodh në televizione, zgjoi kuriozitetin e publikut për të mësuar arsyen e vërtetë, se përse ai vendos të largohet papritur. Pas një batute të drejtpërdrejtë televizive alla Krasta në mbyllje të sezonit të kaluar “100 milionë’, ku ai si një nga prezantuesit që ka thyer shumë tabu në përçimin e ideve, provokoi me një tjetër argument të nxehtë të ditëve të sotme, atë të parasë, ndërsa deklaroi përmes ekranit se “Jam i hapur të pranoj oferta nga çdo kanal tjetër televiziv, nëse më paguajnë më shumë”. Mendimi i parë që vjen natyrshëm, është se ai po largohet për këtë arsye. Por a mund të jetë vërtet kjo arsyeja e një largimi të tillë të beftë për  një pagë më të mirë të ofruar nga një tjetër televizion?!  Burimet tona brenda “Top Channel” kanë pohuar se në fakt, Adi Krasta, si një ikonë e ekranit për shumë vite, ka qenë shumë mirë i paguar,  ndaj nuk mund të jetë kjo arsyeja. Por për të, si një prezantues që është mësuar të jetë i pari në mbi 20 vitet e fundit në ekranet shqiptare, për hir të së vërtetës, është më e logjikshme të thuhet që ekranin e ka përdorur për të dhënë mesazhe të fuqishme që i tejkalojnë interesat e tij personalë. Ndaj dhe natyrshëm me pyetjen “Pse largohet Krasta”, vjen një tjetër: “Çfarë ndodh në Top Channel?”. Në fakt, sinjali i largimit të Adi Krastës nga “Top Channel” u kuptua që në fillim të këtij sezoni televiziv, kur ai dha dorëheqjen nga prezantimi i programit “E Diell” dhe vendosi të mbajë vetëm “100 milionë”.
Në gazetën “Panorama” janë botuar disa shkrime në të gjitha rastet kur “Top Channel” e ka vendosur Adi Krastën në pozitën e prezantuesit sfidant, për të konkurruar televizionin tjetër konkurrent, “Tv Klan”. Pra, shumë herë Krasta është përdorur si gur rezervë për suksesin e projekteve të mëdha, siç ka ndodhur e ndodh në gjithë botën me njerëzit mediatikë me influencë të lartë në publik.  I referohemi emisionit të mëngjezit në “Top Albania Radio”, pas largimit të Aldon Lipes në “Tv Klan”. Më pas, vendosjen e Krastës përballë Ardit Gjebreas, i cili kishte filluar më parë të përgatitej për spektaklin “E Diela Shqiptare”. Dhe, “Top Channel” në kohë rekord përgatiti programin “E diell”, duke vendosur si prezantues primar Adi Krastën. Pastaj, me largimin e Agron Llakajt nga “Portokalli”, dhe përgatitjen e tij për një tjetër emision me titull “Kush do bëhet milioner” në “Tv Klan”, sërish Adi Krasta për sfidë me “100 milionë” në “Top Channel”. Tashmë i lë të gjitha, sepse siç diskutohet nga bisedat që shoqërojnë gjithmonë një largim të rëndësishëm brenda një televizioni të madh, ka gjithnjë një arsye më shumë nga ajo që perceptohet sipërfaqësisht. Krasta filloi punë në “Top Channel” me këmbënguljen elegante të presidentit të ndjerë të “Top Channel”, Dritan Hoxha dhe në raportet ndërpersonale mes tyre, kolegët kujtojnë hezitimin e Krastës për të kaluar në “Top Channel”. Hoxha mundi të afrojë Krastën dhe “Ethet”. Sidoqoftë, më pas ndoshta Krasta nuk është ndier plotësisht i vlerësuar apo i përkëdhelur. Gjithsesi, të vërtetën e pastër të largimit të tij, më mirë se kushdo tjetër mund ta jepte vetë Krasta, por ai, siç e ka zakon, pas të gjitha largimeve të tilla nga televizionet ku ka punuar më parë, gjithmonë ka preferuar të heshtë për mediat. Ndërkohë që pyetja kryesore që bëhet për Krastën në këto momente, është se në cilin televizion do të mund ta shohim tani e tutje. Gjatë karrierës së tij, Krasta shpesh ka zgjedhur të “pushojë” në periudhën ndërmjet projekteve televizive. Në rrethet e tij flitet për një doktoraturë në proces. Ndërkohë, po bëhet shumë zhurmë për një “Po” të Krastës në lidhje me drejtimin e edicionit të 50-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Por, edhe në qoftë se largimi është bërë thjesht për të dhënë një mesazh antikornformizmi të radhës, ndoshta prapë pranohet, pasi një prezantuesi me staturën e tij i shkon pse jo, edhe rebelimi.

Reagimi i “Top Channel”
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm dhe njëkohësisht drejtori i departamentit të burimeve njerëzore në “Top Channel”, Adrian Proko, tha se “Punonjësi Adi Krasta është larguar duke zgjidhur në mënyrë të njëanshme kontratën e punës me ‘Top Channel’. Ky vendim është marrë me dëshirën dhe vullnetin e tij të plotë, prandaj dhe ‘Top Channel’, duke e falënderuar nga njëra anë zotin Krasta për vitet e bashkëpunimit, në anën tjetër do të mbetet i vendosur në zbatimin me rigorozitet të të gjitha pasojave juridike që rrjedhin më pas”.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here