Home Bota 50 martirët që po vdesin për të shpëtuar Japoninë

50 martirët që po vdesin për të shpëtuar Japoninë

669
0

Në këto orë janë 50 persona që po punojnë të shpëtojnë Japoninë. Dhe për këtë, shumë prej tyre do të vdesin, madje shumë shpejt. Janë 50 teknikë heronj që nga dita e djeshme po punojnë në Tepco vetëm pak metra larg reaktorëve bërthamorë të Fukushima 1, që rrezikon të lëshojë miliona grimca bërthamore në atmosferë. Dikush mund edhe ti quajë  si kamikazë ose “tokkotai”, ky është emri i “Forcave speciale japoneze” që në vitet 1944-’45 lëshoheshin mbi anijet amerikane, të mbushur në trup plot me eksploziv. Ose më mirë ata mund të quhen martirë të një teknologjie si ajo e elektronukleare që ka treguar edhe një herë se ka të defekte të mëdha.
50 martirët
Ata e dinë, siç e dinë mirë edhe punëdhënësit e tyre që po vënë jetën në rrezik dhe se do të vdesin. Të martën ata ishin 750 vetë, por 700 nga ata janë larguar. Këta të 50 po përpiqen me dëshpërim që të pompojnë sa më shumë ujë deti në reaktorë për t’i ftohur. Ata janë heronj të vërtetë. Shkencëtarët thonë se ata do vdesin nga rrezatimi, por kjo nuk po i pengon ata në punën që bëjnë.
Legjendat
Dhe tani në Japoni për këta të 50-të kanë nisur legjendat. Në legjendat e Tokios thuhet se në mes të këtyre 50 martirëve ka njerëz të dëshpëruar nga jeta, ose me një të kaluar të errët, madje që kanë qenë edhe mafiozë. Por duke lënë mënjanë këto fantazi e vërteta është se ata po vdesin për të shpëtuar Japoninë.
Eksodi biblik
Banorët kanë nisur një eksod biblik për tu larguar nga kryeqyteti Tokio. Rrezatimi ka mbërritur dhe aty. Por shumë prej qytetarëve janë të revoltuar me qeverinë. Ata thonë se nuk po i mban të informuar në lidhje me atë që po ndodh realisht. Edhe diplomatët e huaj thonë se qeveria duhet të tregojë të vërtetën për atë që po ndodh në impiantin e Fukushimës. E gjithë Azia është përfshirë nga ethet e rrezatimit. Nga ana tjetër, një dokument i Wikileaks thotë se qeveria japoneze e dinte për rrezikun e një aksidenti bërthamor. Kurse qeveria franceze në një reagim të pazakontë bëri të ditur se Japonia e ka humbur kontrollin mbi situatën. Ministri i Ekonomisë, Eric Besson, tha se japonezët nuk po tregojnë të vërtetën.

Situata në kompleksin bërthamor Fukushima jashtë kontrollit

Gjendja në kompleksin bërthamor japonez Fukushima 1 bëhet gjithnjë e më e paqartë. Kompleksi s’kontrollohet dot më, sepse edhe punëtorët e mbetur u larguan përkohësisht nga centrali, pasi rrezatimi arriti nivel ekstrem. Pjesërisht u matën vlera rekord të radioaktivitetit prej 1000 millizivert në orë. Sipas të dhënave të ekspertëve një rrezatim kaq i lartë shkakton probleme të rënda shëndetësore. Ndërkohë niveli i radioaktivitetit është sërish në rënie, tha zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yukio Edano. Më parë në reaktorin 4 kishte shpërthyer sërish një zjarr. Por sipas të dhënave të autoritetit japonez për sigurinë bërthamore flakët ishin shuar pak kohë më pas. Edhe mbi reaktorin 3 vihej re tym i bardhë. Fjala mund të jetë edhe për avull, tha Edano. Në këtë bllok ka gjasa të jetë dëmtuar shtresa e brendshme mbrojtëse e reaktorit.

Perandori Akihito shpreh trishtimin e tij për situatën

Perandori japonez Akihito i ka drejtuar një mesazh kombit nëpërmjet televizionit, në të cilin shprehte “trishtimin e madh” për tërmetin dhe cunamin e së premtes së kaluar, me shpresën që të jetë “shpëtuar numri më i madh i mundshëm i njerëzve”. “Ndiej trishtim të madh për viktimat e tërmetit dhe cunamit, nuk dihet se sa janë në numër, por shpresoj që të shpëtohen sa më shumë”, ka thënë Akihito, në një mesazh të rrallë drejtuar kombit në ditën e pestë pas tërmetit. “Tashmë, problemi kryesor është centrali bërthamor dhe shpresoj që kjo të zgjidhet. Operacionet e shpëtimit vijojnë pavarësisht kushteve. Mungon ushqimi dhe karburanti dhe të gjithë janë në gjendje emergjence”, ka shtuar perandori. “Lutem për ta dhe për daljen nga kjo katastrofë, jam i prekur nga vendosmëria për të rezistuar. Falënderoj të huajt, qytetarët japonezë dhe gjithë ata që vijojnë të punojnë në operacionet e shpëtimit. Na kanë ardhur mesazhe nga e gjithë bota: duhet shpresuar gjithmonë”, ka thënë Akihito.

Japoni, autoritetet lokale sulmojnë qeverinë

Guvernatori i krahinës së Fukushimës u shfaq dje gjatë pasdites në televizionin japonez, duke kritikuar qeverinë për mënyrën se si ka përballuar situatën, pas emergjencës bërthamore të krijuar në centralin bërthamor. Guvernatori i prefekturës së Fukushimës, Yuhei Sato, deklaroi: “Ankthi dhe zemërimi i njerëzve ka arritur në pikën e vlimit. Mungesa e informacionit nga qeveria po shkakton më shumë panik se sa e vërteta. Autoritetet lokale e kanë të pamundur të koordinojnë përpjekjet e tyre në këtë situatë”. Inxhinierët janë duke luftuar me dëshpërim në reaktorët në Fukushima, për të bërë të mundur shmangien e një katastrofe bërthamore, pasi në disa prej reaktorëve janë regjistruar shpërthime. Ndonëse zonat përreth janë ndotur me materiale radioaktive, bërthamat e reaktorëve nuk janë shkrirë ende, duke shmangur për momentin më të keqen, por paaftësia e sistemit për t’i siguruar reaktorëve ftohjen e domosdoshme bën që situata të konsiderohet “kritike”.

SHBA dërgon specialistë të tjerë në Japoni

Në Japoni sot priten specialistë të tjerë për energjinë bërthamore nga SHBA. Gjithsej 34 specialistët ofrojnë ndihmë teknike. Pjesë e detyrës së tyre është edhe analiza e pasojave të mundshme për popullsinë të radioaktivitetit të çliruar nga reaktorët e dëmtuar. Pas autoritetit francez ASN tani edhe një institut i pavarur kërkimor në SHBA e klasifikoi avarinë në Fukushima të shkallës 6 nga gjithsej 7. Nuk përjashtohet mundësia që avaria të klasifikohet edhe e shkallës 7, shprehën shqetësimin ekspertët e Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare (Isis) në Uashington. Shkalla 7 është arritur deri tani vetëm në rastin e katastrofës së Çernobilit në 1986.

Japonia kërkon ndihmë nga BE

Japonia i ka kërkuar ndihmë BE-së për viktimat e shumta të tërmetit dhe cunamit të së premtes së kaluar. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, tha se bëhet fjalë për ndihmë materiale si batanije, dyshekë dhe fuçi të mëdha uji. Rreth 500.000 vetë janë strehuar ndërkohë në strehime emergjence në Japoni. Atje mungojnë shpesh ushqimet dhe uji. Të mërkurën në kryeqytetin e vendit Tokio ndërtesat u drodhën sërish si pasojë e një tërmeti 6,0 ballësh. Në verilindje të Japonisë 850.000 familje janë pa energji elektrike, ndërkohë që temperaturat janë afër zeros. Në brendësi të vendit zona të tëra janë nën rrënoja. Mungojnë pajisjet e rënda për të larguar gërmadhat. Deri tani janë konfirmuar zyrtarisht 3.400 të vdekur. Mijëra vetë vazhdojnë të rezultojnë të humbur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here