HYRJE Mero Baze 21 Janari dhe një rrëfim shfajësues i Sokol Olldashit për vete dhe...

21 Janari dhe një rrëfim shfajësues i Sokol Olldashit për vete dhe Bashën

0
164

mero-bazeNjë nga gjërat që kam përjetuar më keq më 21 Janar ishte Sokol Olldashi. E njihja aq mirë sa të mos e besoja kur u shfaq në mbrëmje në ekran të televizionit duke thënë se në makinën që goditi derën e kryeministrisë kishte dinamit dhe se do vriste nëse do të ishte Ministër i Brendshëm. Këtë të dytën e përmendi dhe gjatë fushatës së tij me Lulzim Bashën.

Në një bisedë të gjatë reflektuese me të, pasi ishte thjesht një opozitar i ngeshëm, më tregoi disa detaje bindëse se çfarë kishte ndodhur brenda korridoreve të pushtetit dhe pse e shfajësonte Lulzim Bashën nga gjithë ajo histori. Më tregoi dy detaje pikante lidhur me 21 Janarin, ditën kur ndodhën vrasjet dhe ditën kur prokuroria kërkoi gjashtë oficerët e Gardës për t’i ndaluar dhe për t’i marrë në pyetje. Rrëfimi i tij në fakt nuk donte të më shfajësonte Bashën pse e kishte pikë të dobët, por ilustronin më së miri karakterin e pavendosur të tij dhe pafuqinë për të qenë i vërtetë para Berishës. Mes këtyre rrëfimeve, ai më shpjegoi dhe pozicionin e tij pse e kishte shpikur dinamitin në makinë dhe pse kish thënë se do të vrisja më shumë.

Nuk është se isha dakord me atë që tha, por e besova dhe i thashë se ‘dikur do ta shkruaj këtë, por kur të mos të të prishë punë’. Po e përsëris rrëfimin e tij me fjalët e mia si një tregim. Tani nuk i prish asnjë punë. Fatkeqësisht nuk më la të prisja gjatë..

+++

Lulzim Basha erdhi në zyrën time. Ishte i trembur nga gjithçka që ndodhte brenda dhe jashtë kryeministrisë. I shikonim ngjarjet të dy në ekran. Ai kishte qenë në kryeministri dhe tani i duhej të përballej me tensionin e dinamikës së ngjarjeve. Kur situata perceptoi dhe u pa se ishin vrarë njerëz, u lidh me Bamir Topin. Ai e ftoi të shkonte në zyrën e tij dhe të bisedonin. Kur u kthye, ishte më i qetë.

-Si shkoi biseda, i thashë.

-Mirë, më tha. Nuk m’u duk negativ. Kur dola, më tha bëni kujdes me letrat se ka ngjarje.

Ndërkohë që po bisedonim, mori në telefon Sali Berisha. Po i thoshte diçka të rëndë lidhur me Topin dhe ngjarjet që kishin rrjedhur. Shkuam bashkë në zyrën e tij. Dukej totalisht i axhituar dhe jashtë kontrollit. U hodh në sulm kundër Bamirit. Luli nuk foli. Nuk dija në i kish treguar që ishte aty, por për ta lehtësuar situatën, shkova në fund të zyrës ku ishte telefoni fiks dhe me autoparlant të hapur fola me badigardin e Bamirit, që e kisha mik qysh kur isha Ministër i Brendshëm.

-Ku është ai, e pyeta.

-Në shpi shefo, më tha, pushon tani.

Berisha më pa i çuditur.

-Me kë po flet, tha.

-Me rojën e Bamirit, i thashë.

I ra tërbimi i improvizuar menjëherë dhe tundi kokën.

-Lere mos na ngatërro tani, tha. Ai ka bërë puçin.

Dhe vuri pak buzën në gaz.

Ishte e qartë që i duhej puçist. E kuptoi dhe Basha këtë dhe i tregoi se ishte tek Bamiri t’i bënte thirrje të ndalte puçin, por ai e paskësh kërcënuar dhe i kish thënë “kujdes me letrat”. Ishte një version emocional, krejt i ndryshëm nga ajo që unë isha dëshmitar pak më parë. Presioni i Berishës për të shpallur Topin puçist bëri të vetën. Basha modifikoi përshtypjet e tij nga takimi me Topin, dhe manovra ime për ta banalizuar situatën, po ashtu nuk funksionoi. Tani duhet të bëheshim gati për të mbrojtur grushtin e shtetit.

Unë vendosa vetë të dal në media. U thashë njerëzve të Gardës, që ishin në korridor, se makina që goditi gardhin, ishte e mbushur me tritol. Më panë pak si të çuditur dhe tundën kokën.

-Më duhet një konfirmim për këtë, u thashë, duke tentuar të tregoja ç’duhet të bënin. I sigurt se në atë moment ata do të më mbështesnin, dola në TV dhe thashë atë që thashë. Në fakt asgjë nuk kishte ndodhur. As lajm për tritol nuk kishte dalë dhe as ndonjë provë nuk ishte siguruar. Në një farë mënyre më lanë vetëm në atë përpjekje që ishte boll justifikuese për dhunën. E vetmja gjë që vendosa të bëj është të mos ua përmendja më. Edhe herë të tjera Ndrea në fakt kishte refuzuar të zbatonte urdhra të paligjshëm, por atë sepse isha i bindur se do ta bënte. Nuk e bëri dhe thellë- thellë më erdhi mirë për këtë pas ngjarjes. Bile nuk jam i sigurt nëse ka qëlluar dhe vetë.

E dyta që thashë lidhur me vrasjet, ishte për t’i dhënë zemër njerëzve. Ajo e gjitha u perceptua si një përleshje ku ne dolëm fitimtarë me viktima nëpër këmbë. Jam përpjekur gjithmonë të jem i paqartë në atë deklaratë, por perceptimi është ashtu siç thua ti, më tha, që unë kam shprehur vendosmërinë për të vrarë. Ajo që më bëri përshtypje, tha, ishte se gjatë fushatës brenda PD-së, kur e thashë këtë gjë, nuk funksionoi. Askush nuk ma përmendi një përparësi. Ngjante në fakt si një garë mes meje dhe Lulit kush ishte më radikal më 21 Janar. E ndjeva nga heshtja që më rrethonte kur e thashë këtë.

Pastaj erdhi momenti i dytë i rrëfimit të tij lidhur me urdhër- arrestin për gjashtë oficerët. Lajmi përflitej dhe Luli erdhi në zyrën time për shkak të miqësisë që unë kisha me Ina Ramën. Ina foli me mua dhe më kërkoi që të bisedoja, të thërriste prokuroria gjashtë oficerë për t’i marrë në pyetje. Ja thashë Lulit në një klimë tërësisht të qetë, pa tensionin e një puçi të ri, dhe ishte dakord. I thashë Inës të dërgonte letrën se gjithçka ishte në rregull.

Pasi uli telefonin me ne, ajo kishte komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit. Ai kishte komunikuar direkt me Berishën dhe i kishte treguar. Berisha mori sërish Lulin dhe i tha se kryepuçistja Ina Rama kërkonte të arrestonte zinxhirin komandues të Gardës.

-Ka hyrë në funksion Plani B, i tha.

Luli ia miratoi paranojën pa guxuar t’i tregojë se kish qenë në parim dakord me atë që po bënte Ina. Kështu u përfshi dhe ajo në listën e komplotit. Pas kësaj, gjithçka e komandonte Berisha, paranojën, skenarin dhe daljen nga kriza.

Ky ishte rrëfimi i tij për pafajësinë e Lulit dhe qëndrimet e tij nën presion. E pyeta pastaj pse u futëm ne gazetarët në listën e puçit të shtetit dhe pse i duheshim Berishës si puçistë.

-Nuk ju zuri kurrë në gojë, tha. Me zell më të madh ju futi Strazimiri. Ai donte të jepte një shenjë që ishte për zgjerimin e rrethit.

-A u përgjuan telefonat tanë, i thashë.

-Besoj që po, por askush nuk e kishte seriozisht me ju, më tha. Qarkullonte vetëm një sms jote me Edi Ramën që thoshe ‘shkoni bëni shurrën tek kryeministria’. Nuk di sa e vërtetë është.

Në fakt ishte e vërtetë dhe ishte një detaj që telefonat ishin përgjuar. Pasi kaloi kulmi i trazirës dhe shumë njerëz u përcollën të plagosur, unë që e ndiqja nga lart skenën, nuk isha i qartë për numrin e të vrarëve. Nuk dija kujt t’i thosha t’u bënte thirrje të tërhiqeshin. I bëra një sms Zogajt dhe Ramës ku në fakt përmendja diçka të tillë me gjysmë humor të zi. Batuta mori shkas nga një miku im, A.K., që hyri në atë moment në lokal ku rrinim dhe më pyeti ç’po ndodh.

-Asgjë, i thashë. Mbaroi, kaq ishte. Tani shko tek dera e kryeministrisë, bëj shurrën, por mos e kalo gardhin, dhe ik. Po e bërë këtë, do të ngrenë në detyrë kur të ndërrojë pushteti.

Humori i zi qarkulloi pak minuta aty rrotull dhe s’jam i sigurt nëse Olldashi e kishte këtë nga thashethemet e atyshme, nga një raportues i Agim Shehut që kishim në krah, apo nga sms. Sidoqoftë nuk ishte diçka me zarar. Dhe dukej që ne nuk ishim në fokus si puçistë. Ishim pjesë e një përpjekje të sforcuar për të ilustruar një ide të çmendur në kokën e Sali Berishës për puç shteti. Dhe ia arriti të na përdorë më shumë duke na falur se sa duke na akuzuar.

Përgjigju

Please enter your comment!
Please enter your name here