Home Shendetesi “Ushqimet që shkaktojnë helmim, ja nga cilat duhet të ruhemi”

“Ushqimet që shkaktojnë helmim, ja nga cilat duhet të ruhemi”

3958
1

Intervista/ Flet shefi i pavijonit të infeksioneve në QSUT-së, prof. Arjan Harxhi

Ekspozimi i ushqimeve në diell për orë të tëra nuk prish vetëm shijen e tyre, por i ekspozon ato ndaj shkaktarëve mikrobik. Papërgjegjshmërinë e tregtarëve e vuajnë blerësit të cilët janë të rrezikuar vazhdimisht nga helmimet ushqimore. Stina e verës është një element që e rrit më shumë rrezikun. Lidhur me këtë problem për gazetën “Tirana Observer” flet mjeku infeksionit prof.Arjan Harxhi.

Cilët janë shkaktarët e helmimeve ushqimore?
Helmimet ushqimore futen në grupin e atyre sëmundjeve që i quajmë ndryshe infeksione të traktit tretës. Janë infeksione që shkaktohen nga shumë shkaktarë bakterial, viral dhe parazitar. Të përbashkët kanë rrugën e marrjes përmes ushqimeve dhe që shkaktojnë shenjat përkatëse të prekjes së aparatit tretës. Pra, helmimet ushqimore është një nëngrup por përgjithësisht populli i quan kështu. Përgjithësisht këto infeksione shfaqen gjatë stinës së verës.
Cilat janë simptomat e një helmim ushqimor?
Një helmim ushqimor apo një infeksion i traktit tretës paraqesin këto shenja kryesore:
-Të përziera dhe të vjella me përmbajtje kryesisht ushqimore.
-Diarre, dalje me përmbajtje të ujshme që mund të jetë e disa tipave me dalje shumë të shpeshta, mukozë gjaku, dhimbje barku e karaktereve të ndryshme, temperaturë dhe forma më e rëndë që lidhet me humbjen e lëngjeve dhe kripërave siç janë tharja e mukozave(gjuhës, ulje e sasisë së urinimit, rënie e tensionit arterial, dobësi muskulore, këputje etj).
Pse helmimet ushqimore ndodhin më shumë në stinën e verës?
Stili i jetës i ndryshëm gjatë stinës së verës që përkon me ngrënien më shumë jashtë, i ekspozon më shumë njerëzit ndaj këtyre infeksioneve, prania e madhe e mizave është një element gjithashtu, rrit mundësinë e përhapjes.
Cilat janë ushqimet që rrezikojnë më shumë qytetarët?
Çdo ushqim mund të kontaminohet nga shkaktarët mikrobik, por disa mund të jenë më të prekshme. Mund të përmendim produktet e vezës (majoneza, akullorja), bulmetrat, mishi dhe sallamrat, produktet e detit. Një produkt tjetër i rëndësishëm është uji se ne e harrojmë, kur ai është i ndotur. Të gjitha këto produkte ushqimore që përmendëm kontaminohen përgjithësisht gjatë përdorimit të tyre nga personat me higjienë të ulët të duarve, kur nuk ruhen në kushte frigoriferike, kur ekspozohen në diell dhe kur ekspozohen ndaj insekteve, kryesisht mizave.
Sa të rrezikuar janë qytetarët nga ushqimet e ekspozuara në diell?
Ruajtja e produkteve ushqimore në ambiente të përshtatshme është shumë e rëndësishme në këtë drejtim. Shpesh shohim që ushqimet dhe produktet ushqimore mbahen dhe shiten në kushte aspak të përshtatshme, në trotuare në rrugë të ekspozuara ndaj pluhurit, diellit që prish jo vetëm cilësitë organo-liptike(shijen), por i ekspozon ndaj shkaktarëve mikrobik.
Cilat grupmosha janë më të prekura ndaj helmimeve ushqimore?
Subjekte të veçantë janë më të ndjeshëm dhe i kalojnë më rëndë këto helmime. Siç janë moshat më ekstreme, fëmijët dhe pleqtë, të sëmurët me probleme kardiake, të zemrës, tensionit, të veshkave, diabetit, stomakut. Këta persona mund t’i kalojnë më rëndë dhe me komplikacione këto situata.
Si mund t’i parandalojmë helmimet ushqimore?
Parandalimi kryhet përmes marrjes së masave si nëpërmjet institucioneve përkatëse shtetërore ashtu edhe nga individët. Larja e duarve është një metodë e thjeshtë mjaftë efikase për parandalimin e këtyre sëmundjeve, sidomos gjatë përpunimit dhe konsumimit të ushqimeve. Është e rëndësishme konsumimi i ujit të sigurtë me shishe, kur nuk jemi të sigurtë duhet të ziejmë ujin nga çezma. Moskonsumimi i ushqimeve që nuk janë ruajtur në kushte të përshtatshme ose që paraqesin shenja të prishjes.
Sa është numri i pacientëve këtë vit dhe si është ky numër në krahasim me vitet e tjera?
Normalisht, aktualisht që po flasim paraqiten 60-70 raste me infeksione të traktit tretës në ditë, shifër që është 3-4 herë më e madhe se në stinën e dimrit. Përsa i përket numrit të pacientëve në krahasim me vitet e tjera është pak a shumë i njëjti numër.

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here